AlbanianSport.com 19/01/2021 16:10
ASNN – Vllaznia kryeson renditjen e Superiores e shkëputur plot 9 pikë nga ndjekëset më të afërt dhe, natyrshëm, ka besim dhe entuziasëm në kampin shkodran në prag të ndeshjes me Bylisin. Drejtori sportiv Matko Djarmati ka dalë të martën para gazetarëve, jo vetëm për të folur për ndeshjen e nesërme, por edhe për merkaton e janarit.
“Jemi këtu me meritë, do bëjmë maksimumin në çdo ndeshje, – ka thënë ai. – Stafi teknik do bëjë këtë rrugë dhe më pas të shohim se ku jemi.” Në vijim, kroati ka folur gjerë e gjatë edhe për merkaton dhe afrimet e realizuara dhe ato të pritshme. “Po presim Klodian Gjinon, nuk ka mbërritur në Shkodër, deri në fund të ditës vjen, – ka thënë drejtori kuqeblu. – Ka luajtur me Kombëtaren e Nën-21-vjeçarëve.”
“Është një lojtar cilësor, – ka vijuar Djarmati. – Kemi parë 3-4 muajt e fundit që ka bërë mirë. Prezantimi do bëhet direkt. Kishim akord me një lojtar, doli në medie dhe në mes rrugës ndërroi mendje duke firmosur me ekip tjetër. Nëse nuk nënshkruajmë nuk është i yni. Sise ka cilësi shumë të mira. Por ai është “i varur” nga Dunga. Me gjithë këto burrokraci që ka në Afrikë mendoj se ai do vijë.”
“Ka aplikim për vizë pune në Shqipëri, – ka sqaruar zyrtari i klubit shkodran, duke folur për sulmuesin kenian”. “Dunga do rikthehet në Shqipëri, – ka vijuar Djarmati. – Klubi japonez kishte ofertë të mirë, ishin 3 kompani menaxhimi që kërkonin pjesën e vetë, ndaj ka dështuar. Kishim kontakte me klubin, është çështje e hapur por si fillim do kthehet në Shqipëri.
Në fund, drejtori sportiv i Vllaznisë ka folur edhe për çështjen e Ardit Hoxhajt, të shumëpërfolur në merkato ditët e fundit. “Ka një kontratë 2 vite e gjysmë. Kush sjell një ofertë që bind klubin, do diskutojmë. Cilësia e grupit dhe klubit do rritet edhe nga shitjet. Lojtarët e kanë ëndërr të luajnë në një kampionat më të fortë se në Shqipëri. Ne do të mbrojmë interesat e klubit, që do të thotë do ketë shitje në momentin e duhur”, – ka përfunduar Matko Djarmati.