AlbanianSport.com 12/01/2019 17:10
ASNN – Dan Ignat-Vllaznia, edhe dashuri, edhe “divorc”, rumuni mban të fshehtë arsyen e largimit. Kategoria e Parë mban në gjirin e saj shumë emra të mëdhenj të futbollit kombëtar, përfshi dhe Vllazninë e Shkodrës, e cila ra nga Superiorja edicionin e kaluar dhe këtë sezon po përpiqet të bëjë gjërat si duhet për t’u kthyer në elitë. Por ndërsa skuadrat po bëjnë fazën përgatitore dhe Vllaznia vetë po vijon përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit, nga ekipi është larguar një nga mbrojtësit më stabël, rumuni Dan Ignat.
Shkaku i largimit nuk është bërë e ditur, por mënyra e largimit dhe qëndrimi i heshtur i lojtarit rumun hedin dyshime që ai mund ta braktisë Vllazninë në këtë periudhë merkatoje dimërore. I kthyer në Rumani, Ignat ka dhënë një intervistë për mediat sportive rumune ku ka përshkruar me mjaft pozitivitet skuadrën kuqeblu, qytetin e Shkodrës dhe tifozerinë, por nuk ka dhënë kurrfarë indicia që mund të kthehet sërish në radhët e shkodranëve.
Ndërkohë, trajneri Hasan Lika tha se po e pret mbrojtësin në skuadër, por pa qenë as vetë në dijeni për shkaqet e një largimit të tillë enigmatik. Dyshimet janë që Ignat të ketë marrë ofertë nga ndonjë klub rumun në këtë moment, por as kjo nuk konfirmohet nga mediat sportive rumune. Ai flet mirë për Vllazninë, shpreh dashuri për të, por nuk detajon për arsyet e distancimit në këtë moment. Edhe në klub flasin fjalë të mira për Ignat dhe e quajnë të nevojshëm për objektivat e skuadrës.
Por as aty nuk i kuptojnë lëvizjet e lojtarit. Edhe dashuri, edhe divorc, kjo vetëm mes Vllaznisë dhe rumunit Ignat mund të ndodhë.