Në kërkim të fitores, Cungu bën lëvizje në formacionin e tij. Duke shpresuar se do të përsërisë atë sukses me Flamurtarin të tre javëve më parë, në formacionin e Vllaznisë pritet të luajë si titullar në majë të sulmit i riu Hebaj. Vllaznia është e vendosur për të kërkuar një rezultat pozitiv në ndeshjen e së mërkurës. Ato janë të vetëdijshëm se do të kenë një vizitë të vështirë duke pasur përballë gjirokastritët e Luftëtarit, të cilët edhe ato, nga ana e tyre, kanë nevojë më tepër se kurrë për pikë.
Por me përgatitjet serioze që shkodranët kanë zhvilluar gjatë këtyre ditëve duket se i kanë marrë masat e duhura për një gjë të tillë. Në një farë mënyre, edhe ndërprerja e kampionatit, i ka shërbyer për mirë stafit teknik për të bërë eksperimentet e duhura në lidhje me lojtarët që do të aktivizohen nga minuta e parë. Ndonëse vetë trajneri Armando Cungu akoma nuk e ka deklaruar zyrtarisht 11-shin anti-Luftëtari, nga sa është parë gjatë këtyre ditëve stërvitore pritet të ketë ndryshimi në formacionin e parë.
Ato vijnë nga mbrojtja, për të vazhduar në mesfushë, si dhe në sulm. Kështu referuar takimit të javës paraardhëse të luajtur në Korçë, ndeshje të cilën Vllaznia e humbi me rezultatin e thellë 3-0, në krahun e djathtë të mbrojtjes pritet të luajë Denis Pjeshka, pikërisht ai që zëvendësoi në pjesën e dytë Gurishtën. Është një vendim të cilin Cungu e mori i pakënaqur nga pësimi i dy golave në portën kuqeblu. Në vijim, ndërhyrje shikohet se mund të ketë edhe në mesfushë.
Më konkretisht, në krahun e djathtë të këtij reparti ku Cungu është parë t’i besojë Arsid Krujës. Ndërkohë, lëvizja tjetër, e treta në këtë pragndeshje ka të bëjë me repartin e sulmit, ku në majë të këtij reparti pritet të luajë i riu Rubin Hebaj. 18-vjeçari bëri një paraqitje të shkëlqyer në ndeshjen e tretë të kampionatit, atë ndaj Flamurtarit të luajtur në “Loro Boriçi”, ku, përpos golit të dytë dhe të sigurisë të shënuar në portën vlonjate, pati një rendiment për t’u marrë në konsideratë gjatë të gjithë minutazhit të ndeshjes.
Në dy ndeshjet e fundit, ato ndaj Korabit dhe Skënderbeut, në të parën si zëvendësues dhe të dytën si titullar, vendin e Hebajt e zuri lushnjari i ardhur nga Bylisi, Pepaj. Megjithë përpjekjet e tij maksimale nuk arriti të jepte atë që pritej. Në këto kushte, për sfidën ndaj Luftëtarit, duket se tekniku Armando Cungu ka vendosur të ketë në fushën e lojës nga minuta e parë të riun Rubin Hebaj. Kjo është parë kur, gjatë dy seancave stërvitore të fundit, të shtunën dhe të dielën, Hebaj është vendosur në majë të sulmit të formacionit të parë.
Me rikthimin e Hebajt si sulmues i deklaruar, Cungu shpreson se do të arrijë të marrë prej të riut të talentuar shërbimet më të mira në dobi të skuadrës, ashtu siç bëri edhe në sfidën me Flamurtarin në Shkodër, ndeshje kjo e cilësuar si më e mira për këtë futbollist duke u bërë atë shumë të njohur në opinionin sportive. Me këto lëvizje, nga një në secilin repart, stafi teknik i Vllaznisë synon të ndryshojë paraqitjen e Vllaznisë për sfidën shumë të rëndësishme me Luftëtarin.
Dhe kjo, jo vetëm duke paraqitur një nivel loje më të mirë se sa në dy ndeshjet paraardhëse, por ajo çfarë ka më tepër rëndësi të marrë një rezultat pozitiv. E përpos fitores, që është edhe objektivi kryesor i kuqebluve në këtë ndeshje, e rëndësishme është që të mos kthehen pa pikë nga kjo vizitë në Gjirokastër.