AlbanianSport.com 05.01.2017 20:25
ASNN – Trajneri Armando Cungu iu përgjigj interesit të gazetarëve sportivë për ish futbollistin e Vllaznisë, Xhevahir Sukaj. Kërkohet një sulmues për skuadrën kuqeblu, ndërkohë që shkodrani Sukaj e ka shprehur publikisht që e ka pritur një telefonatë nga klubi Vllaznia përderisa nuk ka firmosur akoma me asnjë skuadër.
“Vllaznia nuk ka nevojë vetëm për një sulmues, skuadra ka nevojë në çdo repart të ketë përforcime dhe para, – ka thënë Cungu. – Mundësitë financiare të Vllaznisë janë të pakta për të marrë lojtarë si Sukaj. Dhe ajo që është më e rëndësishme, të paktën mesa di dhe unë, Partizani ka thënë se është lojtari i tyre.”
“Telefonata formale mund t’i bëj çdo lojtari, por mundësitë financiare te Vllaznia nuk janë të atilla për të marrë Sukajn, – ka vijuar ai. – Për të bërë hipokrizi është e thjeshtë. Por brenda mundësive që ka klubi Vllaznia tentojmë të bëjmë ndonjë gjë duke pasur parasysh që janë liruar edhe dy poste.”
“Është ai i kosovarit Hoxha dhe po kështu ai i kroatit Vaitcer. Pra shpresoj që të paktën të ardhurat, pagat e tyre të vihen minimalisht në shërbim të paktën të njërit prej sportistëve që mund të na ndihmojnë. Sepse kështu mund të plotësojmë ndonjë boshllëk të krijuar në dy faza tek skuadra”, – ka përfunduar trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu.