Trajneri shkodran: “Absolutisht nuk është nderi për emrin e Vllaznisë të Shkodrës, por dua të them se për gjendjen që kalon skuadra ai pozicion në renditje është më shumë se nder në këtë fundsezoni”. Tashmë nuk asnjë dyshim që Vllaznia do të luajë një futboll të pastër në 90 minutat e fundit të sezonit 2015-2016.
Edhe pse matematikisht çdo gjë e ka të mbyllur në çështjen e mbijetesës, kuqeblutë, jo vetëm që do të respektojnë kampionatin deri në sekondën e fundit të tij, por në të njëjtën kohë është e mobilizuar për të zhvilluar një nga ndeshjet e saj më të mira.
Një gjë të tillë e rikonfirmon shumë qartë edhe trajneri Armando Cungu në prononcimin e tij dhënë dje në mbyllje të seancës së fundit stërvitore anti-Bylis, ku ndër të tjera, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, ai flet edhe për çështjen “ Gea-Sport” si dhe për të ardhmen e tij dhe të skuadrës.
– Sot ndeshja e fundit e kampionatit, tanimë duhet të jeni më të qetë në aspektin që mbijetesa është siguruar…
– Më të qetë jemi, por realisht të them të drejtën duke qenë ndeshja e fundit sot ndaj Bylisit, e cila luhet edhe në fushën tonë, do të dëshiroja ta mbyllja me fitore, sepse kjo do të ishte mënyra më e mirë për të përfunduar këtë sezon të lodhshëm për Vllazninë. Një fitore, e cila na konsolidon përfundimisht në vendin e gjashtë. Besoj se do të ishte një vend i cili absolutisht nuk është nderi i Vllaznisë, por dua të them se për gjendjen që është skuadra është vend nderi. Kështu që do të ishte një aspekt moral për të gjithë këto djem të ekipit, por njëkohësisht edhe për punën e bërë, të paktën këtë periudhë të cilën unë jam prezent. Bëhet fjalë që nga janari e deri më tani, do të ishte një vend shumë i mirë për ne. Kështu që pres një ekip që të japin gjithçka në fushën e lojës dhe të marrim këtë rezultat të dëshiruar.
– Duke mbetur tek ndeshja ishte menduar të ishte një tip finaleje me Bylisin, por tashmë që është siguruar mbijetesa, mos ndoshta ka një ulje të mobilizimit në kampin tuaj për sot?
– Tek unë nuk ka asnjë ulje përveçse ndoshta ka edhe tone disi të larta gjë që ia kam shprehur edhe dje në stërvitje lojtarëve. Ia kam shprehur edhe pas ndeshjes me Tiranën, nuk më ka pëlqyer absolutisht ajo ndeshje, mënyra se si u prezantuam në fushën e lojës. Nuk pashë mobilizim, nuk pashë ndonjë ego, nuk pashë dëshirë për ta fituar atë ndeshje. Aq më tepër kur diskutohej në një farë mënyre mbijetesa, por e kishin mendjen sportistët më tepër tek ndeshja e Ballshit se sa tek fusha e lojës dhe tek puna e tyre në shërbim të ekipit në përballjen me Tiranën. Ju thashë edhe më përpara mobilizimi tek unë si Armando nuk ka rënë dhe nuk do të bie për asnjë moment në çfarë do situate apo ndeshje, çfarë do kundërshtari sado i fortë, apo i dobët të jetë. Unë do të kërkoj maksimumin sot, këtë ia kam bërë të ditur djemve gjatë gjithë këtyre ditëve. Në analizën që do të bëjmë si gjithonë përpara ndeshjes do të kërkojmë maksimumin e tyre, ashtu sikurse në ndeshjet më kritike do të kërkoj po të njëjtën vëmendje, po të njëjtin përqendrim dhe seriozitet. E përsëri, i kemi të gjitha mundësitë për ta mbyllë në vendin e gjashtë dhe do të ishte pozitive për gjithsecilin sportist, por edhe për emrin e Vllaznisë për momentin.