ASNN – Risi në Shkodër, futbollistët kuqeblu motivohen përmes vlerave, historisë dhe traditës së fanellës së qytetit që ato përfaqësojnë. Ndodhi ajo që pritej. Aktiviteti i paralajmëruar nga ana e trajneri Armando Cungu për një takim në sallën e bibliotekës “Marin Barleti” të Shkodrës me pjesëtarët e skuadrës, atje ku në qendër të diskutimit ishte evidentimi i vlerave që mbart kryeqendra e Veriut.
Kjo pasi historia, faktet dhe tradita e mirëfilltë që ka ky qytet në raport me të tjerët bën diferencën. E kjo platformë e iniciuar personalisht nga ana e trajnerit Armando Cungu, përpos brezit të ri të futbollistëve shkodranë, ishte zgjedhur edhe për pjesën tjetër të skuadrës. Kryesisht ato që vijnë nga rrethet e tjera të Shqipërisë, përfshirë edhe fqinjët nga Mali i Zi.
Ajo që binte në sy ishte se pjesëmarrja ishte përgjithësisht edhe familjare, ku përpos bashkëshorteve, shoqeve të tyre të jetës që janë pjesë e çdo emocioni, brenda dhe jashtë fushës së lojës, lojtarët shoqëroheshin edhe nga fëmijët e tyre. Minutat më të mëdha në këtë takim i kanë takuar të zotit të shtëpisë, drejtorit të bibliotekës “Marin Barleti”, Gjovalin Çuni.
Ai foli për rreth 60 minuta në imtësi për historinë e qytetit të Shkodrës. Natyrisht që pjesa e sportit, e historisë së formimit të shoqërisë Vllaznia, e para e këtij lloji në Shkodër, futbolli që për herë të parë lind në Shkodër, ndeshja e parë ndërkombëtare po në Shkodër, gazeta e parë sportive po në këtë qytet dhe në vazhdimësi një sërë të dhënash historike nxorën në pah vlerat e padiskutueshme që dispononin ky qytet.