AlbanianSport.com 24/08/2021 16:30
ASNN – Procesi i privatizimit drejt fundit, Alban Xhaferi pritet të marrë në pronësi klubin. Të hënën, Komisioni i Prokurimit Publik vendosi që procedura e ankandit të Vllaznisë, e ndërmarrë nga Bashkia e Shkodrës, nuk kishte shkelur ligjin dhe ishte i vlefshëm, e për rrjedhojë, mund të vijojë. Kështu, po merr fund edhe kalvari i procesit të privatizimit dhe, brenda këtyre dy javëve të ardhshme, ose, maksimumi brenda gjysmës së parë të shtatorit, klubi kuqeblu do të ketë një president të ri.
Së shpejti, klubi i Vllaznisë nuk do të jetë më në mëshirën e Bashkisë së Shkodrës, por do të administrohet si një subjekt biznesi privat. Të hënën, Komisioni i Prokurimit Publik vendosi që procedura e ankandit, e ndërmarrë nga Bashkia e Shkodrës, nuk kishte shkelur ligjin dhe ishte i vlefshëm, e për rrjedhojë, mund të vijojë. Burime pranë Bashkisë së Shkodrës, por edhe klubit kuqeblu, kanë sqaruar për RTSH Sport se tanimë, sipas procedurave, thërritet kandidati fitues, që në rastin e Vllaznisë është biznesmeni Alban Xhaferi, që të paraqesë ofertën e tij përfundimtare.
Oferta e tij, fituese në ankand, ka qenë në kufijtë e 65 milionë lekëve, dhe ajo pritet të jetë e përafërt edhe në vijim. Dhe pas përfundimit të hapave të fundit të ankandit, pritet që, brenda një afati kohor prej 2-3 javësh, Xhaferi, deri më tani në rolin e donatorit të klubit, të zyrtarizohet edhe si president i Vllaznisë. Duhet theksuar se edhe në rolin e donatorit, Xhaferi dhe administrata e tij e udhëhoqi Vllazninë drejt betejës për titull, duke e humbur atë vetëm për çështje golaverazhi, por duke fituar trofeun e Kupës së Shqipërisë.
Ndaj vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik, pala ankimuese mund të vijojë me pretendimet e saj në gjykatë, por kjo nuk mund ta pengojë më procesin e privatizimit, që ka hyrë në një rrugë pa kthim. Vetë Xhaferi ka përsëritur se procesi i privatizimit ka ndikuar në rezultatet sportive të Vllaznisë sezonin e shkuar, sidomos mungesa e infrastrukturës së përshtatshme për stërvitje. Edhe mjedisi futbolldashës në Shkodër ka kërkuar me ngulm mbylljen e privatizimit të klubit si një mënyrë të të dalë përfundimisht nga vitet e turbullta të gjysmës së dytë të dhjetëvjeçarit të fundit.