AlbanianSport.com 07/03/2021 13:25
ASNN – Në takimin që do të ulë siparin e javës së 23-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Vllaznia pret Kukësin, që ndeshjen që do të luhet sot, duke nisur nga ora 16:00, në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Kjo përballje merr më tepër vlerë teksa dy ndjekëset më të afërta, Partizani dhe Teuta, janë ndalur të dielën, përkatësisht duke u mundur 0-1 në Elbasan përballë Skënderbeut dhe duke barazuar 1-1 në Ballsh me Teutën.
Në fakt, për herë të parë këtë sezon, klubi shkodran nuk ka nxjerrë në konferencë për mediat asnjë drejtues, anëtarë të stafit apo lojtarë para ndeshjes së radhës, ndonëse drejtori sportiv ka dhënë një intervistë të premten, por edhe ka qenë në lidhje direkte në Rubrikën Sportive në RTSH të dielën. Kështu, në njëfarë heshtje për shtyp, kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Tomas Brdariç u kanë dhënë fundin përgatitjeve, ku janë përgatitur disa ndryshime në formacion.
Kështu, sa i përket përballjes me verilindorët, Brdariçi pritet të vazhdojë t’i besojë Zogoviçit në portë, ndërsa Shehi mund të mos e nisë titullar dhe një vend në të majtë të mbrojtjes pritet ta marrë Kruja, i vendosur në prapavijë bashkë me Gurishtën, Adilin e Imamin. Në mesfushë pritet rikthimi i Kalasë, me dyshimin nëse do të luajë në vend të Da Silvës apo Kaleziçit. Nga sa është provuar në stërvitje, Krymi, Jonuzi e Imeri do të jenë sërish titullarë. Ndryshimi tjetër mund të jetë lënia në stol e Dilaver, për një mes Ardit Hoxhajt ose Sisesë.