Adriatik Balla 30.09.2015 13:25
Në lidhje me situatën e krijuar te Vllaznia, ish-futbollisti Elvin Beqiri, beson se ka ngërç, dukshëm i krijuar nga pozicioni delikat i klubit në marrëdhëniet me Bashkinë dhe mungesën e një presidenti. Sidoqoftë, Beqiri shpreson që kjo gjendje të kalojë e Vllaznia të rikthehet e të rivalizojë në garën e kampionatit. Ndjehet kudo në Shkodër që skuadra s’i ka punët mirë dhe ndoshta rrezikon edhe rënien nga kategoria.
Duke mos harruar edhe fenomenin “gjyqtarë”, të cilët po akuzohen jo pak për sjellje jo korrekte. I pyetur nga e përditshmja shqiptare, gazeta “SOT”, nëse ka shpresë për këtë skuadër, Beqiri është përgjigjur: “Ne rrimë me optimizëm se gjërat do të ndryshojnë, se skuadra do të kthehet tek rezultatet e mira dhe do të vijnë ditë të mira për klubin. Ajo që mund të them është se ka gjëra që duhen rregulluar.”
“Është më se e qartë se ca gjëra nuk janë bërë si duhet dhe këtë e tregojnë rezultatet, – ka vijuar ai. – Nga ana tjetër, është një ekip i ri, i cili ndodhet nën presion. Ndërsa për gjyqtarët, mund të them se, kur një skuadër ka një mal me probleme, nëse i shton dhe një tjetër e çorodit fare. Duket që ka një reagim të vështirë, sepse grupi bie moralisht kur gjyqtari bën një gabim, ose jep një vendim jo të drejtë.”
“Por ne nuk duhet të merremi me gjykimin, pasi në futboll duhet të reagojë ekipi, – ka theksuar ish-futbollisti shkodran. – Dhe reagimi duhet të vijë që këtë javë ndaj Laçit, duke shpresuar për rezultat pozitiv. Në këndvështrimin tim Vllaznia ka bërë lojëra të mira, që japin shpresë për vazhdimësinë. Por skuadra ka ngërç, sepse është Bashkia në mes dhe duke qenë në këto kushte ekipi nuk ka forcë.”
“Ta themi shkoqur: Vllaznisë sot i duhet një president, – ka këmbëngulur Elvin Beqiri. – Nga ana tjetër, mungesa e fushës është një problem më vete. Ne nuk na vjen mirë, por situata kjo është dhe defektet nuk mbulohen. Natyrisht, ne shpresojmë që gjërat të përmirësohen, duke i analizuar faktorët sipas peshës dhe të gjithë të përpiqen për të mirën e Vllaznisë, duke gjetur rrugët e zgjidhjes.”