Zv/kapiteni kuqeblu që po kalon një nga sezonet më të mira të karrierës së tij sportive, dje nuk është stërvitur me skuadrën për një shqetësim muskulor. Interesimit të medies, që po ndiqte seancën stërvitore, me miratim edhe të stafit teknik, Marku iu përgjigj pozitivisht duke folur për pragndeshjen Vllaznia-Flamurtari. Pikë së pari, duke e parë jashtë fushës stërvitore dhe të veshur civil, gazetarët sportivë shkodranë kanë shfaqur interesimin e tyre për ndonjë dëmtim serioz të tij.
“Kisha një shqetësim të vogël në pjesën muskulore të kofshës së djathtë dhe pasi u konsultova me stafin mjekësor dhe trajnerin Cungu ramë dakord që më mirë të bëja pushim për këtë seancë në mënyrë që të mos i acarojmë më shumë gjërat në aspektin e gatishmërisë fizike, – tha ai. – Sipas mjekut, nuk besoj se është ndonjë gjë serioze, një shqetësim i vogël, por nëse nuk mirëmbahet mund të jetë i madh në vijueshmëri, sepse kështu është sporti.”
“Mendoj se nuk do të jetë problem për ndeshjen me Flamurtarin, aq më tepër që tashmë ajo u shty për të hënën, duke fituar edhe një ditë kohë më tepër për rikuperimin e plotë, – ka theksuar Marku. – Garantoj se do të jem në fushën e lojës për të dhënë më të mirën time për skuadrën.” Për numrin 3 të Vllaznisë, Antonio Marku, ky nuk është dëmtimi i parë gjatë këtij sezoni futbollistik të Kategorisë Superiore, pasi të tillë ka pasur disa në vazhdimësi.
Megjithatë ajo që pati bërë bujë jo të vogël është çarja në kokë, ku edhe pse me shtatë qepje në frakturën e tij, Marku luajti 90 minuta i fashuar në kokë ndaj Skënderbeut të Korçës, ndeshje të cilën kuqeblutë e fituan. Jo vetëm për këtë rast, por edhe për disa të tjera ai ka marrë vlerësime nga stafi teknik ku vetë trajneri në deklaratat e tij për mediet jo pak herë e ka promovuar Markun si shembull që duhet ndjekur për sakrificat e tij dhe respektin që ai ka ndaj fanellës kuqeblu që mban veshur.
Të gjitha këto kanë bërë që për Antonio Markun, statistikat e këtij sezoni të fiksojnë 29 ndeshje të aktivizuar si titullar nga 30 të tilla duke munguar vetëm në një për arsye të skualifikimit me tre kartonë të verdhë. Në mbyllje, duke konstatuar edhe bilancin shumë pozitiv të statistikave të aktivizimit të tij në këtë sezon futbollistik, gazetarët i përcjellin komplimentet e duhura Antonio Markut, futbollistit shembull përsa i përket edhe formimit dhe edukimit, jo vetëm në fushën e lojës dhe stërvitje, por edhe jashtë saj.
Dhe, me të drejtë, skuadra dhe stafi i kanë besuar edhe pozicionin e zv/kapitenit të Vllaznisë. “I kënaqur jam sepse e tregon vetë fakti që ju po thoni që në të gjitha ndeshjet kam qenë titullar, – pohon ai. – Më gëzon shumë ky fakt, sepse askush nuk të fal gjë si të thuash dhe gjithçka arrihet me forcat tuaja. Kam punuar shumë dhe kështu do të vijoj përsëri me kokën ulur. Për këtë shpresoj që të mbajë këtë ritëm dhe të vazhdoj edhe më shumë përpara për arritjen e treguesve të tjerë edhe më pozitivë.”
Dhe kjo, jo vetëm në planin individual, por kryesisht edhe me ekipin në tërësi, pasi të mbash veshur fanellën e Vllaznisë është me të vërtetë një krenari më vete që çdo i ri shkodran do ta kishte ëndërr një gjë të tillë”, – përfundon prononcimin e tij për mediet mbrojtësi i krahut të majtë Antonio Marku.