Dy javët në vazhdim të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, ajo e 23-të dhe e 24-ët, ofrojnë një kalendar pozitiv për skuadrën shkodrane të Vllaznisë. Të shtunën përballë Laçit dhe, javën e ardhshme, përballë një tjetër skuadre veriore, siç është Kukësi, nënkampion i Shqipërisë. Natyrisht që si njëra dhe ashtu edhe tjetra janë dy sfida përballë dy skuadrave mjaft të forta, por për kuqeblutë që të dyja duhen kaluar me sukses.
Një gjë të tillë e pohon administratori i KF Vllaznia, Astrit Gjyrezi, i cili gjatë një prononcimi për “Sport Ekspres” bën të ditur objektivin e kuqebluve për marrjen e fitoreve në të dy këto përballje. “6 pikë në këto dy ndeshje, ky është objektivi që ne si Vllazni kemi për dy sfidat e radhës ndaj Laçit dhe Kukësit, – ka thënë ai. – Shkodra është qyteti ku Vllaznia merr vetëm rezultate pozitive.” Gjyrezi është optimist se një objektiv i tillë do të realizohet.
Sipas tij, një besim dhe optimizëm për marrjen e 6 pikëve radhazi në ndeshjet e ka marrë duke parë seriozitetin dhe përkushtimin maksimal që skuadra ka në seancat stërvitore. Ajo është duke zbatuar me përpikëri detyrat e dhëna nga trajneri Armando Cungu. Ashtu si edhe ditët e tjera të mëparshme, edhe dje Gjyrezi dhe Grima kanë vijuar të ndjekin nga afër procesin stërvitor në Fushën Sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës, ku do të luhet edhe ndeshja.
Ndërkohë që, ashtu siç kishte deklaruar një ditë më parë, Gjyrezi konfirmon se skuadra është grumbulluar menjëherë pas seancës të së enjtes në periferi të qytetit, pranë kompleksit modern “Gardenland Resort”. Një akomodim ky dy ditë përpara ndeshjes që aplikohet për herë të parë në këtë sezon futbollistik, pas ardhjes së stafit te ri administrativ dhe teknik për vetë rëndësinë e madhe që ka ndeshja në fjalë. Përpos kësaj, Gjyrezi rikonfirmon se për skuadrën është planifikuar edhe një shpërblim financiar në rast fitoreje ndaj kurbinasve.