AlbanianSport.com 17/01/2024 18:25
ASNN – Skiatorja kuqezi shkëlqen në zbritjen e dytë të sllallomit në Austri. Në fakt, e marta ka qenë një mbrëmje për t’u mbajtur mend, teksa skiatorja kuqezi, Lara Kolturi, ka shënuar një tjetër kulm të karrierës së saj të re. 17-vjeçarja italiane që përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, ka bërë një paraqitje të shkëlqyer në stacionin e radhës të Kupës së Botës në ski. Stacioni i radhës ka qenë Flahau në Austri, aty ku skiatorja e re ka arritur një rezultat historik.
Edhe pse në zbritjen e parë të garës së sllallomit ajo u nis e 60-ta, ia doli të regjistronte kohën e 25-të, duke bërë që në zbritjen e dytë të nisej e 6-ta. Dhe kjo zbritje e dytë ka qenë e jashtëzakonshme për skiatoren kuqezi, e cila ka regjistruar kohën më të shpejtë, 56 sekonda e 4 të qindtat, duke marrë kështu vendin e parë në këtë zbritje. Ky rezultat ka bërë që në përfundim të dy zbritjeve, ajo të renditet në vendin e 9-të, një arritje kjo historike për 17-vjeçaren premtuese, që ngjitet kështu në 10-shen e parë të botës.
Duke folur pas garës, ajo nuk e ka fshehur kënaqësinë, teksa ka pohuar: “Jam super e kënaqur me këtë mbrëmje, jam shumë e kënaqur me zbritjen e dytë dhe që e mbylla gjithçka mirë. E lumtur që gjeta ndjesinë e duhur për garën. Në zbritjen e parë shtyva sa munda, edhe pse duke u nisur e 60-ta, nuk është aspak e lehtë, por dhashë maksimumin. Në të dytën u nisa më mirë dhe u mundova të përfitoj sa më tepër dhe erdhi dhe koha që dëshiroja. Jam super e lumtur dhe tashmë shkojmë në garën e radhës”, – ka përfunduar Kolturi.