AlbanianSport.com 25.12.2016 14:20
ASNN – Një gol të shijon gjithmonë, qoftë, në ndeshje, qoftë në stërvitje, sidomos kur ai shënohet në mënyrë spektakolare. Dy gola të tillë na i ofron kronika në vijim, ku njëri është shënuar nga plot 60 metra larg në Kili, ndërsa tjetri nga një ish-futbollist i njohur, siç është rumuni George Haxhi, tanimë president dhe trajneri i një klubi. Futbolli dhuron shpesh gola spektakolarë, të cilët, përveçse realizon falë një ndërthurje të shumë faktorëve, mund të vijnë edhe si rrjedhojë e një instinkti apo talentit.
Kështu ka ndodhur në një ndeshje të kampionatit kilian të futbollit, kur sulmuesi i Universidad de Konsepsionit, Alehandro Kamarga ka shënuar një gol të jashtëzakonshëm në fund të takimit me O’Higins. Ai ka përfituar nga një top i larguar nga portieri kundërshtar, duke goditur saktësisht nga një largësi prej 60 metrash dhe duke përshëndetur rrjetën.
Episodi i dytë vjen nga Rumania dhe ka për protagonist një figurë të shquar të futbollit botëror. George Haxhi, ka luajtur përgjatë një karriere 19-vjeçare për Realin e Madridit, Barcelonën dhe Gallatasarajin, si dhe plot 125 herë për përfaqësuesen e Rumanisë. Por 51-vjeçari ka dëshmuar se aftësitë e tij ende nuk e kanë braktisur, duke shënuar një gol mjaft të bukur në stërvitjen e skuadrës së tij. Vetë mënyra e ekzekutimit, por edhe trajektorja që ai i ka dhënë topit, ka dëshmuar se ish-futbollisti i njohur mund të ketë ende për të dhënë në fushën e blertë.