AlbanianSport.com 27.09.2016 12:30
ASNN – Do të jetë Mamurrasi skuadra e 10-të që do të plotësojë grupin A të nivelit të dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë. Një gjë e tillë e konfirmuar zyrtarisht Federata Shqiptare e Futbollit, ndërsa Shefi i saj i Garave, Lysien Nurishmi, ka sqaruar për Televizionin Shqiptar edhe arsyet e këtij vendimi.
Tërheqja e papritur në çastet e fundit e Partizanit B nga gara krijoi një pështjellim në grupin A, apo grupin e Veriut, të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, duke e lënë këtë grup me 9 skuadra. Por, me një vendim të marrë të hënën në mbrëmje, Komisioni i Apelit të Licencimit në FSHF, ka vendosur që vendin e kryeqytetasve ta marrë Mamurrasi.
Në fakt, ky vendim përbënte një kthesë të pazakontë dhe shumë të shpejtë në kohë të organizmit që qeveris futbollin shqiptar. Kur u formalizua përbërja e dy grupeve të Kategorisë së Parë dhe u hodh shorti i sezonit, më 21 shtator 2016, Mamurrasi ishte lënë jashtë për shkak të mospërmbushjes së kritereve për licencim. Sipas shefit të garave në FSHF, Lysien Nurishmi, kjo skuadër nuk kishte shlyer detyrimet financiare që kapnin shumën e një milionë lekëve.
“Por boshllëku i krijuar nga tërheqja e Partizanit B, rihapi një vend grupin A të Kategorisë së Parë dhe kandidati i parë për ta zënë këtë vend ishte Mamurrasi”, – ka shpjeguar Nurishmi, duke folur për Televizionin Shqiptar nëpërmjet linjës telefonike. “Megjithatë, më parë duhet të shlyheshin detyrimet e sipërpërmendura financiare, gjë që drejtuesit e klubit të Mamurrasit e bënë dhe kjo ishte arsyeja që iu hap rruga licencimit”, – ka shtuar ai.
Sipas Nurishmit, ndeshja e planifikuar midis Erzenit dhe Partizanit B, që tanimë zëvendësohet nga Mamurrasi, e vlefshme për javën e parë, do të luhet sipas të gjitha gjasave javën që vjen, ose në një datë të mëvonshme, në varësi të kalendarit.