AlbanianSport.com 27/08/2019 18:45
ASNN – Indrit Çullhaj e mbyll me një fitore, 5 xhudistet e Kosovës fitojnë edhe dy medalje të bronzta. Në kryeqytetin e Japonisë, Tokio, po zhvillohet Kampionati Botëror i Xhudos, ku po merr pjesë edhe Shqipëria dhe Kosova. Kështu, përveç dy medaljeve të bronzta të këtë Botëror, xhudistët kosovarë kanë grumbulluar edhe plot 2,656 pikë olimpike me paraqitjet dhe arritjet e tyre në këtë veprimtari.
Në përpjekjet për ta siguruar pjesëmarrjen sa më të madhe në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, Kosovës do t’i vijnë në ndihmë pikët olimpike të fituara nga Botërori i xhudos, në mënyrë që të arrihet norma kualifikuese. Deri më tani kanë garuar 4 xhudistë kosovarë në Tokio, ndërsa Loriana Kuka do të garojë të premten. Prej 4 xhudistëve që kanë garuar deri më tani, Kosova ka grumbulluar 2,656 pikë olimpike, si dhe ka marrë edhe dy medalje të bronzta.
Më tepër pikë kanë fituar Distria Krasniqi dhe Majlinda Kelmendi, nga 1,000 pikë olimpike secila, pasi që të dyja arritën ta fitojnë medaljen e bronztë në kategorinë përkatëse të peshës trupore. Në fakt, Kelmendi erdhi si kampione olimpike, por u ndal në gjysmëfinale nga kampionia e botës, Abe Uta, dhe u detyrua të kënaqej me medaljen e bronztë.
Ndërsa, Nora Gjakova u grumbulloi 456 pikë për arritjen në vendin e 7-të, ndërsa Akil Gjakova 200 pikë, për një fitore në këtë turne. Në anën tjetër, Loriana Kuka ndeshet të premten në ora 05:00 e mëngjesit në kategorinë e peshës trupore deri në 78 kg. Ndërkaq, me një fitore të vetme dhe 200 pikë olimpike të grumbulluara është mbyllur edhe ky Botëror i Xhudos për Shqipërinë, pasi Indrit Çullhaj është eliminuar që në turin e dytë.