AlbanianSport.com 15/11/2018 21:25
ASNN – Agjencia Botërore e Anti-Dopingut (WADA), e cila ka mbledhur Komitetin e saj Ekzekutiv në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Bakù, përgjatë të mërkurës dhe të enjtes, përballet me një sërë sfidash sa i përket së ardhmes së saj.
Natyrisht në fokus janë zgjedhjet për presidentin e ri të saj në 2019-ën dhe kandidatët për të zëvendësuar Kreig Ridin janë kreu i Agjencisë Amerikane të Anti-Dopingut, Trevis Tajgërt, Ministrja e Sportit e Norvegjisë, Linda Helleland, dhe Ministri i Sportit i Polonisë, Vitold Banka, çka dëshmon edhe interesin e madh që ka për këtë post.
Guri i provës është padyshim qëndrimi ndaj Rusisë, sistemi i organizuar i dopingut i së cilës ka qenë në fokus të luftës ndaj kësaj dukurie në këtë dhjetëvjeçar të dytë të këtij shekulli të ri.
Agjencia Ruse e Anti-Dopingut (RUSADA) u pezullua në 2016-ën dhe sportistët rusë u përjashtuan nga Olimpiada e atij viti në Rio de Zhaneiro. Por edhe nga ajo Dimërore e 2018-ës në Pjeongçeng, duke lejuar vetëm konkurrimin e sportistëve të pastër, por pa simbole kombëtare.
Por falja e RUSADA-s pak kohë më parë ka shkaktuar një zemërim mbarëkombëtar, sidomos në radhën e sportistëve, çka e ka zhvendosur vëmendjen tek ristrukturimi i organizmit që mban lart flamurin e luftës kundër dopingut në botë.