AlbanianSport.com 09/01/2019 19:20
ASNN – Ndryshe nga Kombëtarja e femrave, ajo e meshkujve në volejboll e ka mbyllur fushatën eliminatore të saj në kuadër tëEvropianit të 2019-ës, duke u renditur në vendin e 3-të të renditjes së grupit D, edhe pse të mërkurën në mbrëmje u mund 1-3 në takimin e fundit përballë Portugalisë. Kjo ndeshje, që u zhvillua në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” të Parkut Olimpik të Tiranës dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka filluar mjaft mirë për skuadrën e drejtuar nga trajnerët Jani Melka dhe Dritan Bardhi.
Ajo ka treguar karakter, duke luftuar pikë për pikë dhe duke e marrë setin e parë në pikët shtesë, 26-24. Ky set zgjati 28 minuta. Por seti i dytë ka qenë vendimtar për fatin e ndeshjes, pasi portugezët, që erdhën në këtë takim të fundit si të kualifikuar në vendin e parë në këtë grup, e kanë dominuar dhe e kanë fituar atë brenda 23 minutash, me shifrat 25-19. Ky set ka kthyer rrjedhën e lojës në favor të iberikëve, të cilët do të vijojnë të mos ndalen në dy setet e tjera.
Të cilët i fitojnë me shifrat identike, 25-15 dhe brenda një periudhe kohore të njëjtë, 22 minutash, duke e marrë gjithë ndeshjen me rezultatin 3-1 dhe duke e mbyllur në kuotën e 15 pikëve, 3 më tepër sesa ndjekësja më e afërt, Austria, që gjithashtu kualifikohet. Shqipëria detyrohet të kënaqet me vendin e 3-të, me 5 pikë të marra pas dy fitoreve dhe 4 humbjeve, dy më tepër sesa Kroacia e vendit të fundit. Por 8 setet e fituara përkundër 15 seteve të fundit dëshmojnë se Shqipëria e djemve mund të kishte marrë shumë më tepër nga këto Eliminatore.