AlbanianSport.com 16/10/2018 16:10
ASNN – Volejbollisti Redi Koçi është zhvendosur këtë sezon nga Finlanda në Republikën Çeke dhe ka firmosur me skuadrën e Ustit. Dhe sportisti 2 m e 3 cm i lartë ka patur ndikim të menjëhershëm, pasi skuadra e tij ka marrë kryesimin e renditjes së kampionatit çek pas 3 javëve të para të këtij sezoni. Ai është një nga eksportet më të suksesshme të volejbollit shqiptar të viteve të fundit dhe, pas një sezoni të suksesshëm në Finlandë, Redi Koçi, ka lënë tanimë veriun e Evropës, për t’u zhvendosur në qendër të kontinentit.
Sportisti që muajin që vjen mbush 24 vjeç është zhvendosur në Republikën Çeke dhe ka firmosur me skuadrën e Ustit, në nivelin më të lartë të kampionatit të volejbollit atje. Dhe volejbollisti 2 m e 3 cm i lartë ka patur ndikim të menjëhershëm, pasi skuadra e tij ka marrë kryesimin e renditjes së kampionatit çek pas 3 javëve të para të këtij sezoni. Usti i ka fituar të 3 takimet e këtij fillim sezoni, duke lëshuar vetëm një set, çka e bën atë të mbajë vendin e parë, me 9 pikë, një më tepër sesa Karlovarskoja, që ka lëshuar edhe dy sete më tepër. Vendin e tretë, me 6 pikë e mban Dukla e Liberecit.
Duhet theksuar se, edhe në planin personal, Koçi i ka bërë një nisje mjaft të mirë të sezonit. Aktualisht, ai është në 10-shen e parë të shënuesve më të mirë, me 43 pikë të realizuara në 3 ndeshjet e para në kampionat, me një mesatare prej mbi 14 pikësh për ndeshje apo 4.3 pikë për set. Ndërkohë, skuadra e tij ka kaluar me sukses edhe ndeshjen e turit të 16-shes së Kupës së Republikës Çeke në volejboll për meshkuj, ku në çerekfinale do të përballet me Benatkin, të cilin ekipi i Koçit e ka mundur në javën e dytë të kampionatit në 3 sete.