AlbanianSport.com 10/04/2020 18:00
ASNN – “Do të presim dhe do të shohim, por mendoj se duhet luajtur që të shpallen ekipet kampione”. Ky ka qenë mesazhi që ka përcjellë të premten në mëngjes Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit (FSHV), Erlind Pëllumbi, i cili ka theksuar se “e rëndësishme është që të luhet, nëse do jetë e mundur të jetë publiku, do të ishte qershia mbi tortë, por, përndryshe do të zhvillohet edhe me dyer të mbyllura”. Kreu i organizmit që qeveris rrjetën shqiptare ishte, nëpërmjet një lidhje direkte, pjesë e emisionit “ABC-ja e Mëngjesit” në kanalin informative “ABC News”.
Gjatë bisedës me moderatorin Enkel Demi, ai foli për fatet e këtij sezoni në volejboll, problemet financiare që ndjehen te klubet, ndërkohë që në fund foli edhe për mënyrën se si stërviten ata që merren më këtë sport të bukur. “Gjithçka erdhi në një moment të papritur, – tha Pëllumbi. – Ngjarje të tilla nuk parashikohen. Jashtë i kanë zgjedhur kampionët, por, personalisht besoj se ne do të na krijohet mundësia t’u japim, të paktën ekipeve të të rriturve, të zhvillojnë ndeshjet e “play-off”-eve për të shpallur “kampionët”. Kjo edhe për arsye se ekipet kishin shpenzuar dhe morën madje edhe lojtarët të huaj.”
“Kjo na kënaq, – tha kreu i FSHV-së. – Do të presim dhe do të shohim, por mendoj se duhet luajtur që të shpallen ekipet “kampione. E rëndësishme është që të luhet, por nëse do jetë e mundur të jetë publiku, është qershia mbi tortë. Përndryshe do të zhvillohet sidoqoftëë. Në volejboll përgjithësisht ka distancë dhe mund të luhet, ndryshe nga sportet e tjera. Normal ka kontakte, por varen edhe nga politikat e qeverisë dhe si do të jetë gjendja. Atëherë do të vendosim a do vazhdojmë apo jo”.