AlbanianSport.com 14/12/2018 16:20
ASNN – 23-vjeçari, Ildi Deliu, ka qenë një titullar i padiskutueshëm në skuadrën e tij në këtë gjysmë të parë të sezonit në Hungari, duke e shfrytëzuar më së miri përvojën e përfituar sezonin e shkuar në volejbollin finlandez. Ai e ka mbyllur në mënyrën më të mirë vitin 2018, pasi skuadra e tij, ka fituar në 5 sete duelin me rivalen kryesore të grupit. Kështu, është mbyllur në mënyrën më të mirë viti 2018 për volejbollistin shqiptar, Ildi Deliu.
Skuadra e tij, Keshkeméti, ka fituar në 5 sete duelin me rivalen kryesore të grupit B të kampionatit hungarez të rrjetës së meshkujve, Fino Kaposvarin, duke e mbyllur në vendin e dytë të renditjes fazën e dytë të këtij sezoni. Në fakt, kjo fitore ishte një hakmarrje morale për skuadrën e pasuesit të Kombëtares kuqezi, e cila e pati humbur përballjen e parë në 3 sete në shtëpi, në takimin e fazës së parë. Sidoqoftë, të dyja skuadrat kualifikohen për në fazën tjetër, duke qenë pretendente për titull.
Sipas formulës së Kampionatit Hungarez të Volejbollit të Meshkujve, të njohur si NB I dhe që është ndarë në dy grupe nga 6 skuadra secila, 3 të parat e çdo grupi kualifikohen për në fazën tjetër, atje ku 4 më të mirat zhvillojnë më pas “play-off”-in final për titullin. Në fakt, midis skuadrës së volejbollistit shqiptar dhe asaj Fino Kaposvarit, që kryeson renditjen me 28 pikë, dy më tepër sesa Keshkemeti, teksa të dyja skuadrat kanë korrur nga 9 fitore dhe kanë humbur nga një secila, ekziston një rivalitet i fortë dhe i ashpër.
Duhet theksuar se 23-vjeçari, që mban numrin 17, ka qenë një titullar i padiskutueshëm në skuadrën e tij në këtë gjysmë të parë të sezonit në Hungari, duke e shfrytëzuar më së miri përvojën e përfituar sezonin e shkuar në volejbollin finlandez. Ildi Deliu dhe bashkëmoshatari i tij, Redi Koçi, janë dy lojtarë të talentuar që kanë dalë nga skuadra e Farka Volejit, që drejtohet nga trajneri pasionant, Dritan Bardhi.