AlbanianSport.com 11/03/2019 18:25
ASNN – Kapiteni kuqezi triumfon me Turin në 3 sete në finalen e luajtur të dielën në Paris. Pas Erblira Bicit në Itali dhe Ildi Deliut në Hungari, një tjetër volejbollist shqiptar ka fituar një trofe të rëndësishëm në parketin evropian. Bëhet fjalë për kapitenin e Kombëtares kuqezi të volejbollit të femrave, Gazmend Husaj, i cili ka fituar të dielën në mbrëmje Kupën e Francës me skuadrën e tij, Turin. Ekipi në të cilën militon volejbollisti shqiptar ka triumfuar në 3 sete ndaj Shamontit, në finalen e zhvilluar në Paris.
Në fakt, skuadra e volejbollistit 27-vjeçar e ka dominuar gjithë ndeshjen, duke e fituar atë në diçka më tepër se një orë. Husaj ka qenë titullar nga minuta e parë deri në fund të ndeshjes, duke bërë një paraqitje të jashtëzakonshme, pasi kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga një dëmtim në kavilje. Dhe kthimi i tij ka qenë një ogur i mirë për ekipin e Turit, që ka vuajtur vetëm në setin e parë përballë Shamontit, skuadër të cilën e kishte mundur në 4 sete në betejën për titull majin e vitit të shkuar.
Sidoqoftë, ekipi i Husajt e ka fituar setin e parë në 29 minuta, 25-22, ndërsa në dy setet e tjera, gjithçka ka qenë më e thjeshtë. Turi e ka shpartalluar kundërshtarin në setin e dytë, duke e fituar atë brenda 21 minutash, me shifrat e thella 25-13. Kjo epërsi prej dy setesh i ka dhënë skuadrës së volejbollistit kuqezi qetësinë e duhur, ndërsa e ka demoralizuar plotësisht kundërshtarin, duke e bërë formalitet setin e 3-të të ndeshjes, që është fituar nga Turi me shifrat 25-18 dhe bashkë me të edhe gjithë takimin 3-0 me sete.
Në një takim ku loja dhe pikët u shpërndanë në masë të gjerë, Gazmend Husaj realizoi 8 pikë në finalen ndaj Shamontit. Ky ishte trofeu i parë i Husajt me skuadrën e Turit, që e ka fituar për herë të 10-të Kupën e Francës dhe për herë të parë pas 4 vitesh. Skuadra e kapitenit kuqezi kryeson e shkëputur edhe renditjen e kampionatit francez të volejbollit për meshkuj, me 17 fitore dhe vetëm dy humbje në 19 javë të këtij sezoni, teksa ka grumbulluar 49 pikë, 9 më tepër sesa ndjekësja më e afërt, Montpeljeja.
Turi është kampione në fuqi e Francës dhe në rrugë të mbarë për ta mbrojtur titullin edhe këtë sezon dhe Kupa e Francës ishte një paralajmërim i qartë për rivalët.