AlbanianSport.com 13/03/2018 10:40
ASNN – Kampionati Kombëtar i Volejbollit për Të Reja ka luajtur në fundjavë ndeshjet e radhës dhe, në grupet A dhe B, që kanë nga 6 skuadra, janë luajtur takimet e vlefshme për javën e 8-të. Ndërsa në grupin C, ku marrin pjesë 7 skuadra, janë luajtur takimet e vlefshme për javën e 11-të. Në këtë grup, Himara ka triumfuar në 5 sete në derbin me Flamurtarin 2, ndërsa Pogradeci dhe Skënderbeu i kanë mbyllur në 3 sete në favor të tyre takimet përkatëse ndaj Apolonisë 2 dhe Apolonisë 1.
Ndërkaq, në grupin A, Korabi, Vllaznia dhe Tirana i kanë fituar në 3 sete sfidat e tyre, përkatësisht ndaj Mjeshtërisë Sportive Durrës, Besëlidhja dhe Mirditës. Ndërkaq, edhe në grupin B, Teuta dhe Lushnja kanë mposhtur në 3 sete përkatësisht Dinamon dhe Elbasanin, ndërsa në atë që ishte takimi më i bukur i kësaj jave, skuadra modeste e Duka Volejit ka triumfuar në 5 sete në fushën e Partizanit.
Ndonëse të kuqet kryeqytetas, të drejtuara nga trajneri Ilir Thanasi, kishin në përbërje disa lojtare të Kombëtares kuqezi të të rejave, si dhe volejbollisten e Kombëtares së të rriturave, Sara Hasku, skuadra modeste e periferisë së kryeqytetit, e drejtuar nga trajnerja Lulzime Duka, ka korrur një fitore të vyer, që rihap betejën për kualifikim për më tej nga ky grup.
25-14, 17-25, 25-18, 17-25 dhe 12-15 kanë qenë shifrat e seteve të kësaj sfide, që ka qenë padyshim një nga më të bukurat e këtij sezoni të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Të Reja.