AlbanianSport.com 18/04/2019 19:20
ASNN – Pasuesi i Kombëtares kuqezi fitoi Kupën dhe arriti në gjysmëfinale të titullit. Një nga eksportet më të suksesshme të volejbollit shqiptar të meshkujve të këtyre viteve të fundit ka qenë edhe Ildi Deliu. Pasuesi i dalë nga një prej risive më të këndshme të volejbollit shqiptar të viteve të fundit, siç ishte Farka Voleji, është drejt mbylljes së sezonit e tij të dytë në parketin evropian.
Pasi kishte provuar fatin në volejbollin finlandez, por pa patur hapësirën e nevojshme, 23-vjeçari ka vijuar të zhvendoset në Hungari, ku edhe ka shpërthyer me skuadrën e Keshkemetit. Ekipi i volejbollistit të Kombëtares kuqezi ka qenë një nga pretendentet e këtij sezoni, si në grupin e vet të sezonit të rregullt, ashtu edhe në fazën e play-off-it, ku arriti deri në gjysmëfinale të play-off-it për titull.
Por ekipi i shqiptar u mund në të 3 përballjet me Penzugjorin dhe tanimë do të përballet në 10-ditëshin e fundit të prillit, me rivalen historike, Fino Kaposvarin, në betejën ngushëlluese për vendin e 3-të dhe të 4-t. Megjithatë, skuadra e Deliut e ka siguruar një trofe për këtë sezon, pasi në mesin e shkurtit pati shtangur pikërisht favoriten për titull, Penzugjorin, në finalen e Kupës së Hungarisë.
Keshkemeti e fitoi finalen në 4 sete dhe Ildi Deliu ishte një nga lojtarët kyç të suksesit të saj në veprimtarinë e dytë të volejbollit hungarez të meshkujve. Përtej rezultatit që do të prodhojë dueli me 3 ndeshje për vendin e 3-të dhe të 4-t, ky ka qenë padyshim një sezon i suksesshëm për Ildi Deliun në parketin kontinental dhe një ogur i mirë për Kombëtaren kuqezi të meshkujve në vijim.