AlbanianSport.com 12.06.2017 07:00
ASNN – Shqipëria e ka mbyllur me fitore gjysmën e parë të grupit A të Ligës së Evropës në volejboll për femra, duke mundur Bjellorusinë 3-1 në takimin e tretë. Në takimin tjetër të grupit A, Finlanda mundi në 3 sete Austrinë. Ndeshjet e këtij grupi u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Kështu, Kombëtarja kuqezi e volejbollit të femrave e ka mbyllur në mënyrë të shkëlqyer fazën e parë të pjesëmarrjes së saj në grupin A të Ligës së Evropës, duke mundur Bjellorusinë 3-1 dhe duke u renditur e dyta.
Në fakt, kjo i bën vajzat kuqezi të drejtuara nga trajnerët Altin Martiri dhe Roland Tarja, kandidate për t’u kualifikuar për më tej nga grupi A. Ajo që duhet theksuar është se fitorja e së dielës ndaj bjelloruseve ishte një fitore karakteri e Kombëtares, sepse, ndonëse e ka humbur setin e parë, është rikthyer të fitojë 3 setet e tjera dhe gjithë takimin. Në atë që ishte një takim i barazpeshuar dhe i luftuar pikë për pikë, Bjellorusia e ka marrë setin e parë me shifrat 25-22. Por Shqipëria reagon, duke e marrë setin e dytë me të njëjtat shifra dhe duke barazuar kështu gjendjen e seteve në 1-1.
Ai që do të vendosë praktikisht fatin e ndeshjes, ka qenë seti i 3-të, që ka qenë edhe më i luftuari, me të dyja skuadrat që shkëmbejnë kryesimin deri në barazimin 24-24. Por përqendrimi dhe mbështetja e tifozerisë ka bërë të vetën dhe vajzat kuqezi e fitojnë setin e tretë 26-24 dhe vihen në kryesim të seteve 2-1. Seti i fundit ka qenë një histori më vete, sepse Bjellorusia nuk është dorëzuar, por ka gjetur përballë një Shqipëri të sigurt në vetvete dhe me besim. Lojtaret e Martirit dhe Tares e shfrytëzojnë në maksimum mbështetjen e publikut, duke ruajtur qetësinë dhe duke e fituar edhe setin e 4-t, 25-23, dhe gjithë ndeshjen me rezultatin 3-1.
Shqipëria e mbylli kështu fazën e parë të grupit A në vendin e dytë, në kuotën e 6 pikëve, 3 më pak sesa Finlanda, që në ndeshjen e fundit në grup mundi Austrinë në 3 sete. Të gjitha emocionet e ndeshjeve të këtij grupi u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Duke pasqyruar edhe atmosferën e jashtëzakonshme që ka mbizotëruar në kampin kuqezi gjatë gjithë kësaj periudhe, gjithçka në mjediset e Sallës së re Sportive “Feti Borova” në Parkun Olimpik të Tiranës është mbyllur me vallen e fitores.
Liga e Evropës
Volejboll – Femra
Grupi A
Dita e 3-të
(11 qershor 2017)
Të dielën:
Finlandë – Austri 3-0
Bjellorusi – Shqipëri 1-3
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
- Finlanda 3 3 0 9-0 9
- Shqipëria 3 2 1 6-5 6
- Bjellorusia 3 1 2 4-6 3
- Austria 3 0 3 1-9 0