AlbanianSport.com 18/09/2019 20:00
ASNN – 57-vjeçari Nezhat Sanxhak, aktualisht trajner i Kazakistanit, në stolin e të kuqeve këtë sezon. Është plotësuar tanimë i gjithë revolucioni të cilit iu nënshtruar gjatë verës skuadra e Partizanit në volejboll për femra, e cila sezonin e shkuar si fitoi si kampionatin, ashtu edhe Kupën, pasi ka mbërritur edhe trajneri i ri. Ai është turku Nezhat Sanxhak dhe emërimin e tij e ka konfirmuar edhe presidenti i ekipit të “kuq”, Rogert Huqi.
57-vjeçari është një emër i njohur në volejbollin turk por edhe në atë ndërkombëtar. Ai ka drejtuar disa skuadra në kampionatin e vendit të tij dhe është trajner që ka licencën e FIVB-së. Nezhat Sanxhaku ka drejtuar më parë edhe ekipet përfaqësuese të Malit të Zi, Kenias dhe aktualisht drejton edhe përfaqësuesen e femrave të Kazakistanit. Tanimë ai do të drejtojë edhe kampionet e Shqipërisë gjatë sezonit të ri, si në kampionatin shqiptar, ashtu edhe në Ligën e Kampioneve të Evropës.
“Tashmë skuadra jonë është e plotësuar dhe është gati për sezonin e ri”, – ka deklaruar Huqi për Rrjetin e RTSH-së. – Uroj që ky investim të japë frytet e dëshiruara në kampionat, por edhe në Evropë”, shtoi ai. Në tetor, Partizani do të luajë në turet eliminatore të Ligës së Kampioneve të Evropës, ku do të përballet me boshnjaket e Jedinstvo Brçkos. Gjatë merkatos së verës, te Partizani kanë ardhur një numër lojtaresh të huaja.
Të tilla si sllovakja Romana Hudeçova, turkja Jeliz Basha, pasuesja amerikane Kejli Mans dhe afrikania Benitha Mukandajisenda nga Ruanda. Ato i janë bashkuar përforcimeve nga kampionati vendas, në trajtën e Klonarda Nezajt, Fatbardha Picakut, Jola Gjermenit dhe Joana Kushit.
Klikoni videon e mëposhtme për kronikën e plotë.