AlbanianSport.com 30/10/2019 21:10
ASNN – Trajneri Sanxhak kërkon mbështetjen e tifozëve, takimi i së enjtes, direkt në RTSH. Partizani ndeshet të enjten në mbrëmje me Vashash Obudën, duke synuar të përmbysë atë humbje me 3 sete me hungarezet në ndeshjen e kthimit të turit të 3-të të Ligës së Kampioneve të Evropës në volejboll për femra. Tanimë trajneri Nezhat Sanxhak reflekton me qetësi mbi ndeshjen e parë.
“Ne kishim disa vështirësi në Hungari, sepse arritëm vetëm 18 orë para ndeshjes në Budapest, për shkak të disa problemeve me vizat për disa prej lojtareve tona, madje dy lojtare arritën atje vetëm 6 orë përpara ndeshjes, – sqaron ai. – Por tanimë ne kemi patur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur dhe vijmë në këtë takim pa asnjë lojtare të dëmtuar, pra me të 14 lojtaret në dispozicion, për herë të parë në këto eliminatore.”
“Kështu pra, ne jemi gati”, – shton turku i stolit të të kuqeve të kryeqytetit, i cili, sidoqoftë, kërkon ndihmën e tifozëve të enjten. “Ne do të përpiqemi ta mundim kundërshtaren tonë të paktën në 4 sete dhe ta çojmë duelin në “golden set”, apo setin e artë, – ka këmbëngulur ai. – Por ne kemi nevojë për mbështetjen e tifozëve tanë, tifozëve të Partizanit, dhe prandaj u bëjmë thirrje të jetë këtu të enjten.”
“Shpresojmë të mos i zhgënjejmë, por u premtojmë që do të shohin volejboll të mirë dhe fitorja do të ishte edhe më e mirë”, – ka shtuar trajneri i kampioneve të rrjetës shqiptare të vajzave. Partizani e ka humbur 0-3 takimin e javës së shkuar, por për trajnerin Sanxhak, ky nuk është “një mision i pamundur”.
(Sinkronë Sanxhak: Asgjë nuk është e pamundur. Kjo skuadër nuk kishte ndonjë nivel më të lartë sesa ne, kishte vetëm disa pluse më tepër sesa ne, që u shumëfishuan edhe nga epërsia e të luajturit në shtëpi, por ne do të japim maksimumin dhe do të përpiqemi sa më tepër të shfrytëzojmë epërsinë e fushës tonë.” Për Sanxhakun, suksesi në Evropë është i rëndësishëm përtej Partizanit.
“Pikësëpari, kjo do të ishte e rëndësishme për moralin jo vetëm të Partizanit, por të gjithë volejbollit shqiptar, çka do të inkurajonte edhe skuadrat e tjera shqiptare të synojnë gjithashtu suksesin në arenën ndërkombëtare, – ka thënë ai. – Pas kësaj, Partizani do të synojë Kupën CEV, por edhe titullin “kampion”, për t’u rikthyer sërish në Ligën e Kampioneve të Evropës.”
Takimi i kthimit Partizani-Vashash Obuda do të luhet të enjten në mbrëmje dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 18:00.