AlbanianSport.com 04/02/2019 20:15
ASNN – Përforcimi më i fundit i universitare, amerikania 23-vjeçare rrëfen për RTSH pritshmëritë e saj. Arden Fisher është përforcimi më i fundit i Barleti Volejit dhe amerikania e pohon se Shqipëria është një aventurë për të. “Në fakt, m’u desh të kërkoja në “Google” për Shqipërinë, – ka pohuar volejbollistja e re. – Por jam këtu për sportin që dashuroj dhe jam shumë e dhënë pas tij.”
Volejbollistja 23-vjeçare mezi po pret të punojë me skuadrën e re. “Nuk di shumë gjëra për skuadrën, dhe mezi po pres të nis stërvitjen me shoqet, – tha Fisher. – Di vetëm që ka fituar shumë trofe dhe shpresoj ta vazhdojmë këtë traditë.” Shutjerja e re e jashtme e Barleti Volejit e sheh Shqipërinë si një mundësi të mirë për të trokitur në dyert e Evropës.
“Shpresoj që po, – thotë ajo. – Por ky nuk është viti im i fundit dhe dua të luaj sa më shumë të mundem.” Arden Fisher është një nga 5 lojtaret e huaja që iu bashkuan kampionatit shqiptar gjatë merkatos dimërore, aty ku Mirdita ka marrë një volejbolliste amerikane dhe një braziliane, ndërsa Partizani ka marrë një kubaneze dhe një amerikane.