AlbanianSport.com 04/02/2019 14:45
ASNN – Skuadra e shqiptares, Novara, triumfon 3-2 në finale ndaj Imokos, aktivizohet edhe kapitenia kuqezi. Erblira Bici ka shkuar emrin e saj në historinë e volejbollit shqiptar të femrave, pasi kapitenia e Kombëtares kuqezi ka fituar të dielën në mbrëmje Kupën e Italisë me skuadrës së saj të Igor Volej Novarës. Në atë që ishte një finale dramatike nga fillimi deri në fund, skuadra e diagonalistes shqiptare ka triumfuar në 5 sete ndaj Imoko Koneljanos, me të cilën po rivalizon fuqishëm edhe në kampionat. Novara ka marrë setin e parë 25-22, por skuadra e Imokos, ka reaguar në të dytin, duke e fituar atë 25-20 dhe duke barazuar gjendjen e seteve në 1-1.
Seti i 3-të ka qenë për t’u harruar për skuadrën e volejbollistes 1 m e 86 cm të lartë, pasi Imoko e fiton atë me rezultatin e thellë 25-12, duke krijuar idenë e një fitoreje të lehtë në 4 sete, sidomos duke patur parasysh se e kishte fituar edhe pak javë më parë në 3 sete duelin në kampionat. Por Novara ka reaguar në setin e 4-t, duke e fituar të 25-22 dhe duke e çuar ndeshjen në setin e 5-të dhe atë vendimtar. Dhe aty skuadra e Bicit ka treguar karakter, duke kryesuar gjatë gjithë kohës dhe duke e fituar setin 15-12 dhe bashkë me të edhe finalen 3-2 me sete.
Novara mbron kështu me sukses trofeun e Kupës së Italisë në volejboll për femra, që e kishte fituar edhe vjet, ndërsa e fiton atë për herë të 3-të. Ky ishte një sukses i jashtëzakonshëm për volejbollisten shqiptare, ndërsa 23-vjeçarja ka dhënë kontributin e saj modest në këtë finale, me dy pikë të shënuara. Duhet theksuar se ky po shndërrohet në një sezon të jashtëzakonshëm për Erblira Bicin, për më tepër që është i pari për në nivelin më të lartë të rrjetës italiane të femrave dhe me një skuadër të mbushur me yje të kalibrit botëror.