AlbanianSport.com 30/06/2020 21:40
ASNN – 25-vjeçari rrëfen dy vitet me Keshkemetin, pret oferta të reja dhe vlerëson kontingjentin kuqezi. Pas një sezoni në Finlandë, volejbollisti Ildi Deliu e ka vijuar aventurën e tij kontinentale me dy sezone në Hungari, ku ai shprehet i kënaqur me atë që ka dhënë në parket. “Këto dy vite në Hungari kanë qenë, me thënë të drejtën, të mira”, – thotë ai.
“Ashtu si viti i parë, ku u shpalla fitues i Kupës së Hungarisë me skuadrën time, ndërsa në kampionat e mbyllëm në vendin e 3-të”, – vijon ish-volejbollisti i Farka Volejit. – Në sezonin e dytë, ashtu si edhe në sezonin paraardhës, arrita sërish deri në finale të Kupës, por, fatkeqësisht, pa arritur ta fitoj atë. Ndërkohë, deri në momentin kur kampionati fillimisht u pezullua dhe më pas u anulua, ishim po ashtu të 3-tët në renditje.”
Tanimë, 25-vjeçari është në pritje të ofertave të reja, teksa synon ta vijojë gjetkë karrierën. “Për momentin, nuk kam vendosur akoma asgjë, – pohon ai. – Jam ende në pritje të ndonjë oferte që ia vlen që të vazhdoj të luaj jashtë Shqipërisë. Por për momentin, nuk mund të them asgjë me siguri.” Pasuesi është optimist edhe për të ardhmen e Kombëtares kuqezi të meshkujve.
“Këto 3 vitet e fundit, Kombëtarja ka patur një progres mjaft të madh dhe shumica e lojtarëve po aktivizohen nëpër kampionatet e vendeve të ndryshme evropiane dhe, me kalimin e kohës është konsoliduar mjaft dhe shpresoj t’ia dalim me sukses.” Aktualisht, volejbollisti ndodhet në Shqipëri dhe ditët e fundit ka patur kënaqësinë të shikojë sesi në vendlindjen e tij, në Farkë, po ndërtohet një sallë e re dhe moderne sportive e lojërave me dorë.