AlbanianSport.com 21/12/2018 11:35
ASNN – Skuadra italiane e Novarës, në radhët e së cilës militon shqiptarja Erblira Bici, ka korrur fitoren e dytë në po aq ndeshje, duke marrë kreun e renditjes me pikë të plota në Ligën e Kampioneve në Volejboll për Femra. 23-vjeçarja shqiptare ka luajtur përgjatë gjithë takimit, duke realizuar 10 pikë nga 75 pikët që ka realizuar gjithsej skuadra italiane.
Në mesjavë janë zhvilluar ndeshjet e dyta të fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve në Volejboll për Femra dhe skuadra italiane e Novarës, në radhët e së cilës militon diagonalistja Erblira Bici, ka korrur fitoren e dytë në po aq ndeshje, duke marrë kreun e renditjes me pikë të plota. Skuadra e kapitenes së Kombëtares kuqezi ka triumfuar në 3 sete në Bjellorusi ndaj Minçankës së Minskut.
Skuadra italiane ka marrë kështu e vetme kreun e renditjes së grupit C, me 6 pikë, 3 më tepër se francezet e Kanës dhe polaket e Budovlani Udzhit. 23-vjeçarja shqiptare ka luajtur përgjatë gjithë takimit, duke realizuar 10 pikë nga 75 pikët që ka realizuar gjithsej skuadra italiane. Bici ishte aktivizuar, ndonëse në një masë modeste edhe në ndeshjen e parë që Novara fitoi në 3 sete në shtëpi ndaj Budovlani Udzhit.
Por ajo e ka nisur si titullare ndeshjen e dytë, duke konfirmuar kështu edhe konsolidimin e saj tek nënkampionia e Italisë. Përtej fitores në 3 sete, nuk ka qenë edhe aq e lehtë ndeshja në kryeqytetin bjellorus, Minsk, për skuadrën italiane, që e fitoi setin e parë në 24 minuta, me shifrat 25-19. Seti i dytë, që ka vulosur praktikisht fatin e ndeshjes, ka qenë një betejë e vërtetë, që ka shkuar në pikët shtesë.
Dhe, në një betejë nervash që ka zgjatur plot 37 minuta, Novara ka triumfuar 34-32, duke vijuar të marrë edhe setin e 3-të, 25-16, dhe gjithë ndeshjen 3-0. Volejbollistja 1 metër e 86 centimetra e lartë po e shfrytëzon më së miri çdo shans që i jepet në një skuadër ku konkurrenca është e një niveli botëror, duke spikatur jo vetëm në parketin italian, por edhe atë evropian.
Forma e mirë e Bicit është edhe një ogur i mirë edhe për kombëtaren kuqezi, që ka në fillim të janarit, dy ndeshjet e fundit të grupit të Eliminatoreve të Evropianit.