AlbanianSport.com 03/10/2019 19:25
ASNN – Pas Kupës, shkodranët nisin përgatitjet për sfidën me verilindorët. Vllaznia është kualifikuar për në turin e 16-shes së Kupës së Shqipërisë, falë dy fitoreve, e para në fushë të huaj me rezultatin 1-0 dhe e dyta 2-0 e luajtur pasditen e së mërkurës në stadiumin “Loro Boriçi”, duke eliminuar kështu Burrelin e Kategorisë së Parë. Takime këto, që i kanë shërbyer trajnerit maqedonas të Vllaznisë, Mirsad Jonuz, t’u japë minuta të gjithë lojtarëve të tij.
“Është një shans shumë i mirë që i jepet skuadrës të vazhdojë rrugëtimin në ndeshjet e Kupës, – ka thënë ai. – Është i mirë, sepse i krijohet mundësia për të dalë edhe në Evropë. Ishte gjithashtu një moment i mirë, sepse iu dha mundësia të gjithë lojtarëve për të luajtur. Ishte një lojë e mirë e skuadrës, pa probleme, shënuam dy gola, nuk patëm dëmtime, edhe gjatë stërvitjes skuadra ka qenë e mirë. Pozitive ishte që luajti për herë të parë edhe futbollisti i sapoardhur në skuadër Ualusimbi.”
“Vllaznia do ta synojë Kupën e Shqipërisë, është një mundësi e mirë kjo që na krijohet”, – ka thënë trajneri i kuqebluve. Me interes është pritur edhe aktivizimi i lojtarit nga Uganda, Ualusimbi, futbollist që luan në krahun e majtë në prapavijë, por trajneri Jonuz nuk ka ende një vendim i sa i përket asaj nëse ai do të jetë gati për Kukësin në fundjavë. “Ai ka një javë që është këtu, sot ishte dita e parë që luajti në formacion, do ta shikojmë deri sa të vijnë dita e ndeshjes”, – tha maqedonasi.
“Sepse normal kemi edhe ndonjë problem të vogël edhe me Gligorovin dhe do të shoh deri afër ndeshjes në stërvitjet që do të kemi, – shtoi Jonuzi. – Kjo do të jetë një ndeshje e vështirë, Kukësi ka kundërshtarë shumë të mirë, por ne do të japim maksimumin dhe do të arrijmë të marrim pikë.” Tanimë shkodranët e kanë hedhur vështrimin drejt përballjes me Kukësin. “Çdo ndeshje është e ndryshme dhe nuk ka të bëjë me këtë”, – ka thënë ai.
“Ndoshta do të kishim fituar me Luftëtarin dhe mund të kishim humbur me Skënderbeun, kjo është psikologji ballkanase dhe futboll ballkanas, kemi nevojë të ndryshojmë shumë gjëra”, – ka theksuar ai. A do të ishte i kënaqur trajneri edhe me një barazim ndaj Kukësit? “Çdo rezultat pozitiv është i mirë!” – ka përfunduar trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz.