AlbanianSport.com 28/01/2024 21:25
ASNN – Vllaznia e Partizani nuk hapin rrugë. Mbyllet 1-1 në Shkodër dueli, të kuqtë ruajnë vendin e dytë të renditjes. Pas takimit të parë, të luajtur më herët, në mbrëmje janë zhvilluar edhe dy takimet të tjera të javës së 21-të të Kategorisë Superiore dhe, në Shkodër, Vllaznia dhe Partizani kanë dhuruar spektakël në atë ishte sfida më interesante, me shkodranët që kërkonin t’u rrëmbenin kryeqytetasve vendin e dytë të renditjes.
Në fakt, pjesa e parë e sfidës së zhvilluar në Stadiumin “Loro Boriçi”, ka parë një lojë të luftuar, me të dyja skuadrat që e kërkojnë golin, por do të jetë Partizani që do ta gjejë atë në minutën e 23-të. Pas zhvillimit të një goditje këndi, Rrapaj harkon nga e djathta e sulmit kryeqytetas në zonën shkodrane, aty ku Maget kërcen më lart se të gjithë dhe me kokë dërgon topin në rrjetë.
Vllaznia do të reagojë dhe 3 minuta para fundit të pjesës së parë do të fitojë një 11-metërsh, për një ndërhyrje të parregullt të Sotës në dëm të Balajt dhe ky i fundit nuk gabon nga pika e bardhë, duke barazuar shifrat. Në barazpeshë 1-1 do të mbyllen 45 minutat e para në Shkodër, ndërsa ato të dytat kanë qenë gjithashtu të luftuara, por përtej përpjekjeve të të dyja skuadrave, është mbyllur në barazim 1-1 kjo sfidë, që i lë të dyja skuadrat në pozita të njëjta në renditje.