AlbanianSport.com 04/01/2021 21:40
ASNN – Konfirmohen 5 largime nga kuqeblutë, Xhaferi zyrtarizon Fangajn, projekton afrimet. E kanë mbyllur 2020-ën në krye të renditjes, në kuotën e 26 pikëve, plot 6 pikë më tepër sesa ndjekësja më e afërt, Teuta, dhe 7 më tepër sesa Partizani i vendit të 3-të, pas 8 fitoresh, dy barazimesh dhe dy humbjesh në këto 12 javë të para të sezonit të Kategorisë Superiore. Por, përtej funksionimit thuajse në parametra optimalë të grupit, edhe përtej goditjes nga epidemia e virusit Covid-19, Vllaznia do të ketë firo gjatë merkatos së dimrit dhe janë konfirmuar tanimë 5 largime, teksa janë projektuar edhe afrime të mundshme.
Pas Elmir Lekajt që ka firmosur me Arbërinë në Kosovë, presidenti Alban Xhaferi ka konfirmuar posaçërisht nëpërmjet linjës telefonike për Fjala.al se edhe dy lojtarët e huaj, Eugenio Sidorenko dhe Kristofer Mandiangu, janë jashtë planeve të klubit. Po kështu, ai ka konfirmuar se do të largohen nga nga Vllaznia edhe dy lojtarë shkodranë, mbrojtësi Enes Isufi dhe mesfushori Behar Ramadani. Të dy këta futbollistë pritet të vazhdojnë karrierën në Superligën e Kosovës, teksa Ramadani ka arritur marrëveshjen me klubin e Drenicës, që drejtohet nga trajneri gjirokastrit, Bledar Devolli.
Mësohet se, në lojë për mesfushorin me përvojë ishte edhe skuadra tjetër e Superiores, Apolonia, por oferta e Drenicës është më joshëse. Nga ana tjetër, edhe Isufi pritet të zyrtarizohet këto ditë në një nga skuadrat kosovare, që sipas të gjitha gjasave, do të jetë Llapi i Podujevës. Ndërkohë, lëvizjet në klubin shkodran nuk do të jenë vetëm me drejtim dalës, por edhe në kahun e kundërt. Xhaferi ka konfirmuar se do të federohet në këtë periudhë merkatoje mbrojtësi Abdurrahman Fangaj, i cili ka firmosur prej disa muajsh me kuqeblutë.
Por ai do të zyrtarizohet tani, teksa ka kapërcyer edhe një dëmtim. Xhaferi ka sqaruar se mesfushori Elvir Maloku nuk do të vijë tek Vllaznia, teksa palët nuk kanë rënë dakord për kushtet. Në mbyllje, Xhaferi ka pohuar se në klubin shkodran kanë mbërritur një numër i madh kandidaturash për merkaton e dimrit, por ka theksuar se Vllaznia nuk do të nxitohet, duke përzgjedhur përforcimet që janë cilësore dhe që plotësojnë nevojat e klubit.