AlbanianSport.com 05/07/2020 23:10
ASNN – Kuqeblutë i dhurojnë trajnerit Dedja fitoren e parë, mbajnë gjallë shpresat për vendin e 7-të. Vllaznia ka rigjetur më në fund fitoren pas mëse një muaji dhe plot 7 ndeshjesh në Kupë dhe në kampionat, duke mundur minimalisht Luftëtarin në Gjirokastër dhe duke u ngjitur në kuotën e 42 pikëve, një më tepër sesa Bylisi i vendit të 7-të, që të hënën ka një sfidë të vështirë në fushën e vet me Partizanin.
Kjo ishte edhe fitorja e parë e skuadrës shkodrane nën drejtimin e trajnerit vendas Hysen Dedja. Ishte një ndeshje e mbizotëruar nga shkodranët ajo që u luajt në Gjirokastër. me të besuarit e Hysen Dedes që kishin disa raste të tjera për shënim, por nuk u treguan të saktë para portës së gjirokastriteve, që kishin rënë më herët edhe matematikisht nga Kategoria Superiore.
Fati i kësaj ndeshjeje u vendos 6 minuta para fundit të pjesës së parë, kur një harkim i saktë i Gilman Likës u përcoll në rrjetë nga braziliani Zhunjor. Pjesa e dytë ka qenë e luftuar, me Vllazninë që bën një vëllim më të madh loje dhe me gjirokastritët që sidoqoftë përpiqen dhe e vënë në vështirës skuadrën mike. Asnjëra nga skuadrat nuk arrin ta gjejë më rrugën e rrjetës dhe shkodranët bëjnë detyrën, duke marrë 3 pikët që mbajnë gjallë shpresat për të shmangur “play-out”-in me Kategorinë e Parë në përfundim të sezonit të rregullt.