AlbanianSport.com 19.05.2016 17:55
ASNN – “Futbollistët që kanë dy nënshtetësi, atë kosovare dhe atë të vendit ku kanë lindur, në momentin që kanë zgjedhur të luajnë me njërën përfaqësuese, nuk mund të ndryshojnë skuadër”. Lajmin e ka bërë të ditur mbrëmë një zyrtar i lartë i UEFA-s, Alasteir Belli.
Zgjidhet më në fund enigma se si dhe ku mund të luajnë futbollistët shqiptarë me nënshtetësi kosovare, të cilët aktivizohen me kombëtare të shteteve të tjera. Alasteir Bell, njeriu që me fjalimin e tij në Kongresin e UEFA-s, u shpall si “hero” për Kosovën, pasi ai ndikoi shumë që ajo të zgjidhej si anëtare e 55-të e saj, ka dalë mbrëmë në një konferencë për shtyp si zyrtar ligjor i organizmit që qeveris futbollin e Evropës.
Ai ka sqaruar edhe një herë situatën e Kosovës, por këtë herë në lidhje me lojtarët me prejardhje nga Kosova, dhe të cilët deri tani kanë luajtur për përfaqësueset e tjera. “Nëse një lojtar ka zgjedhur të luajë për Zvicrën, për shembull, kur ai kishte edhe nënshtetësi të Kosovës dhe Zvicrës, nuk do të jetë në gjendje të ndryshojë skuadër”, – ka sqaruar ai.
“Pra, Behrami, Xhaka dhe Shaqiri, në momentin kur kanë zgjedhur Zvicrën, nuk kanë pasur edhe nënshtetësi të Kosovës, ligjërisht ju mundësohet të luajnë për Kosovën, nëse ata zgjedhin atë”, – ka përfunduar Belli, duke e shpjeguar kështu edhe më konkretisht situatën.