AlbanianSport.com 03.02.2017 22:55
ASNN – Kategoria e Parë është rikthyer të premten me ndeshjen e parë të javës së 14-të të grupit B, apo Grupit të Jugut, atë midis Tomorit dhe Pogradecit, që u fitua nga miqtë me një gol të vetëm. Ky takim, që u luajt pasdreke në Berat, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Në fakt, gjysma e pjesës së parë të kësaj ndeshjeje ka qenë nën nivelin mesatar, por gjithçka ka ndryshuar në minutën e 20-të, kur, pas një goditje këndi për Pogradecin, Pere e shtyn topin në rrjetë në mes të rrëmujës dhe pasigurisë së mbrojtjes vendase dhe i kalon miqtë në epërsi.
Tomori nis të reagojë dhe 25 minutat që vijojnë do të jenë një dialog midis sulmit beratas dhe mbrojtjes dhe portierit mik. Pjesa e parë do të mbyllet me këtë epërsi njëgolëshe të miqve, ndërsa e dyta nuk do të sjellë gola të tjerë, pavarsisht vëllimit të lojës dhe rasteve të krijuara nga Tomori dhe Pogradeci fiton 1-0.
Skuadra liqenore merr një fitore të vyer, duke mbetur në vendin e 6-të, por tashmë me 17 pikë, dy më pak sesa beratasit. Ndeshjet e tjera të grupit B, por edhe ato të grupit A, apo Grupit të Veriut, luhen të shtunën, duke nisur nga ora 14:00, me përjashtim të sfidës Dinamo-Sopoti.
Ajo do të luhet një orë më herët dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Kjo ndeshje është e vlefshme për grupin B, ku të dyja skuadrat ndajnë vendin e 7-të dhe të 8-të, me nga 13 pikë secila. Java e 14-të mbyllet të hënën, me takimin e orës 13:00, midis Kamzës dhe Mamurrasit, që gjithashtu do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.