AlbanianSport.com 26/02/2022 20:10
ASNN – Janë mbyllur të shtunën në mbrëmje dy sfidat e fundit të javës së 22-të të Kategorisë Superiore, të luajtura në mbrëmje në Stadiumin “Arena Kombëtare” dhe atë “Loro Boriçi”. Tirana është skuadra që arritën të dalë triumfuese 4-1 në duelin e kreut me Laçin, ndërsa Kukësi dhe Teuta ndahen në barazim 1-1. Bardheblutë e Orges Shehit bëjnë kanë bërë autokritikë për humbjen kundër Kastriotit një javë më parë, ndërsa në “Arena Kombëtare” mundën skuadrën mike me rezultatin e thellë 4-1.
Kurbinasit u ndëshkuan plot 4 herë në pjesën e parë dhe gjetën vetëm një gol ngushëllimi në të dytën. Në minutën e 5-të do të ishte Redon Xhixha ai që do t’i hapte rrugë suksesit të kryeqytetasve, ndërsa në minutën e 19-të, Filip Najdovski tund rrjetën e bardhezinjëve për herë të dytë. Kryeqytetasin nuk mjaftohen me kaq, teksa në minutën e 28-të, Taulant Seferi vendos edhe ai firmën e tij në këtë ndeshje, duke detyruar portierin të kurbinasve, Dajsinani, të nxirrte për herë të 3-të topin nga porta e vet.
Në pjesën e parë do të kishte vend edhe për dopietën personale të ish-lojtarit të Laçit, me Xhixhën që nuk fal përpara portës mike në të 43-ën minutë. 4-0 për Tiranën që “çmonton” bardhezinjtë e trajnerit Mirel Josa që në pjesën e parë të takimit. Në fillim të pjesës së dytë kurbinasit do të gjenin golin e parë me anë të një 11-metërshi të realizuar nga Julian Shehu në minutën e 52-të. Në minutat e mbetura djemtë e Josës kërkonin të ngushtonin edhe më shumë diferencën e golave, por pa mundur të realizonin përballë një Tiranë që kishte mbyllur llogaritë e ndeshjes që në pjesën e parë të takimit.
Me këtë fitore Tirana shkon në kuotën e 49 pikëve, 6 më tepër se ndjekësja më e afërt, Laçi, ndërsa për kurbinasit kjo ishte humbja e parë që nga fundi i nëntorit të vitit të shkuar.