AlbanianSport.com 29/11/2018 14:40
ASNN – Të premten rikthehet derbi i madh i kryeqytetit në futboll dhe, duke folur në konferencën për shtyp mbajtur të enjten, trajneri i Tiranës, Ardian Mema, beson se përballja me Partizanin mund të jetë ndeshja e duhur për kthesën e madhe. Tirana ndeshet të premten me Partizanin, por për trajnerin e bardhebluve, Ardian Mema, kjo është një ndeshje si të tjerat. Mema shpreson që, në mungesë të tifozëve ultras, spektakli i derbit të zhvendoset nga shkallët në fushën e lojës.
Për trajnerin bardheblu, ka ardhur koha që loja e mirë të kthehet në rezultate të mira. Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, doli sot në konferencë shtypi ku shpalosi objektivat e bardhebluve në duelin derbi me Partizanin, një ndeshje që do të luhet të premten në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet. Mema foli për gjendjen e grupit, ambiciet, por njëherësh dhe kundërshtarin dhe mungesën e spektaklit në fushë në vitet e fundit, duke shtuar se spektaklin deri tani e kanë bërë tifozët.
Por, sipas tij, ka ardhur koha për lojtarët ta kthenin spektaklin në fushë. “Në momentin që erdha këtu, – u shpreh Mema, – kërkoja Partizanin përballë pasi doja tu jepja mesazh lojtarëve pasi preferoj ndeshje të forta siç është derbi dhe kanë histori të gjatë. Gjithsesi kjo përcjell mesazh dhe vetë në karakterin tim edhe kur isha futbollist doja ndeshjet e forta dhe t’ia dilnim mbarë. Çdo gjë varet nga futbollistët dhe nga unë pasi duhet përgatitur ndeshja.
“Edhe pse duke qenë derbi, unë me lojtarët, po them që e konsiderojmë ndeshje radhe, – vijoi trajneri bardheblu. – Ka rëndësinë e vet por secili duhet të bëjë detyrat si në çdo ndeshje. Vetë mjedisi dhe historia e këtyre ndeshjeve e karikojnë skuadrën. 3 pikët janë njëlloj si me Partizanin si me ekipet e tjera. Të them te drejtën u bënë vite se që nga momenti kur lash futbollin ka qenë një pjesë e shikimit nga stadiumi dhe ka qenë një spektakël që nuk e kemi shijuar kur kemi luajtur vetë.”
“Më shumë ka pasur spektakël në shkallët e stadiumit dhe më bukur kanë lozur tifozët sesa futbollistët, – theksoi Mema. – Këtë ndeshje shpresoj të jetë spektakli në fushë. Mendoj se nuk do të ketë ndryshime. Do të ketë të vogla por në mbrojtje do të vazhdojmë si jemi. Gjatë lojës mund të ketë ndryshime. Po të shohësh golin ndaj Skënderbeut ishte një goditje standarde ku aty ka mesfushorë e sulmues dhe aty nuk është faji i 1-2 lojtarëve por i të gjithë bllokut.”
“Dëshira për të fituar është normale, por janë 3 rezultate, – ka thënë më tej ish-futbollisti i Tiranës. – Nuk mund të parashikoj sa del ndeshja. Një trajner i përgatit ekipin në mënyrë subjektive se si e sheh futbollin ai dhe kjo është në nivel parashikim që vulos për një lojtar apo një tjetër lojtar.” Në lidhje me formacionin, taktikën që do të ndjekë dhe për merkaton e ardhshme, trajneri bardheblu tha: “Në futbollin e sotëm duhet analizuar mirë pasi një lojtar mund të ketë taktikë individuale”.
“Por sot duhet të funksionojë krejt reparti pas këto e bëjnë diferencën. Ndoshta në një moment të dytë, mund të shohim për futbollistë të tjerë që po i shohim. Nuk është presion për lojtarët që kam por duhet konkurrencë që të meritojnë fanellën. Nuk ua jep Ardian Mema por e fitojnë vetë”, – , përfundoi trajneri i skuadrës 24-herë “kampione” të Shqipërisë.