AlbanianSport.com 12/01/2024 21:35
ASNN – Tirana bën “bis”, sërish fitore me përmbysje. Ashtu si në fazën e parë, e mund Dinamon 3-2 në “Niko Dovana”. Është luajtur të premten në mbrëmje në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit ndeshja e parë e javës së 19-të të Kategorisë Superiore. Dhe Tirana ka vijuar të ruajë të paprekur kolonën e humbjeve në përballjet me Dinamon, teksa ka fituar sërish me përmbysje të premten, me shifrat 3-2, në takimin që u luajt në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit dhe që çeli javën e 19-të dhe të parën e Kategorisë Superiore për këtë vit.
Në fakt, sfida, që ka patur dy tablo, ka parë Dinamon të mbizotërojë në atë të parë, teksa në minutën e 25-të kalon në epërs, pasi kundërsulm i saj finalizohet në mënyrën më të mirë nga Zabërgja. 1-0 për Dinamon, ndërsa goli verifikohet në VAR dhe vlerësohet si i rregullt. Me epërsinë minimale të Dinamos do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta nis menjëherë me gol. Është Dinamo që e kap në befasi Tiranën dhe shënon golin e dytë me Andonin, i cili godet nga larg zone dhe realizon një gol shumë të bukur, duke dyfishuar shifrat për të kaltërit.
Megjithatë, Tirana do të reagojë dhe, duke përfituar nga shpërqendrimi i dinamovitë, do të shënojë dy herë brenda 3 minutash, duke barazuar shifrat. Tirana ka gjetur golin me Hoxhallarin, që me kokë dërgon topin në rrjetë, në minutën e 57-të, ndërsa në 59-tën, shënon golin e dytë me anë të Deliut. Dhe 10 minutat e fundit do të sjellin përmbysjen e Tiranës, pasi do të Kaina pengohet në zonë nga Behiratçe dhe për gjyqtarin Jorgji nuk ka dyshime që është 11-metërsh.
Nga pika e bardhë godet Latifi, i cili mposht portierin Sali dhe përmbys gjithçka, duke kaluar Tiranën në epërsi për herë të parë në këtë sfidë. Përmbysje e madhe e Tiranës, që arrin ta ruajë fitoren deri në fund dhe mposht Dinamon 3-2, duke mbajtur vendin e 3-të, tashmë në kuotën e 29 pikëve. Dinamo mbetet për momentin në vendin e 5-të, me 22 pikë.