AlbanianSport.com 01.02.2017 20:45
ASNN – Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka luajtur të mërkurën ndeshjet e para të çerekfinaleve dhe nuk kanë munguar surpizat. Kështu, në takimin e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, Tirana ka mundur 2-1 Kukësin, duke dhuruar emocione dhe spektakël. Në fakt gjysmëora e parë e kësaj ndeshjeje ka qenë e varfër në lojë dhe në raste, por gjithçka është ndezur në minutën e 30-të, kur Halili ka mposhtur kurthin e pozicionit jashtëloje dhe, me një prekje delikate e dërgon topin në rrjetë.
Kukësi do të kundërpërgjigjet menjëherë dhe fillimisht Pejiç, që ndalet nga gardiani bardheblu, Lika, dhe, menjëherë më pas është Lenja që gabon në pozicion të volitshëm. Në krahun tjetër të fushës, Edeh ka mundësi që të dyfishojë shifrat, por goditja e tij brenda zonës, has dhunshëm në shtyllën horizontale të portës kukësiane. Atë që nuk e bën dot afrikani, e bën Taku në skajet e kohës së rregullt të pjesës së parë, duke goditur fort dhe saktë brenda zonës dhe duke përshëndetur rrjetën. 45 minutat e dyta nisin kështu me këtë epërsi të bardhebluve.
Por Kukësi ka hyrë ndryshe në lojë dhe i duhen më pak se 120 sekonda për të gjetur golin, me anë të Eni Imamit. Goli i verilindorëve e ka hapur lojën dhe të dyja skuadrat kërkojnë të godasin njëra-tjetrën. Tirana ka një shans të artë për të gjetur golin që do të vuloste fitoren, por goditja e Takut nga larg ndalet nga shtylla e portës së Kukësit. Mbyllet kështu me fitoren 2-1 të bardhebluve kjo sfidë, ndërsa në takimet e tjera të luajtura të mërkurën, pasdreke, në Laç, vendasit kaluan të parët në epërsi me anë të Kapanarit i cili shënoi në minutën e 69-të.
Por Osmani e shpëtoi Skënderbeun nga humbja duke gjetur rrjetën në minutën e 2-të shtesë. Në Shkodër, Vllaznisë i ka mjaftuar një supergol i shënuar nga Tafili në gjysmën e pjesës së parë, për të marrë një fitore minimale, por, të vyer ndaj Teutës. Ndërkohë, në takimin e tjetër të mbrëmjes, Besëlidhja ka dëshmuar se nuk ishte surprizë eliminimi i Partizanit, duke fituar, madje bindshëm, 2-1 në Vlorë ndaj Flamurtarit vendas, në një takim ku humbi edhe një 11-metërsh.