AlbanianSport.com 17.09.2016 22:55
ASNN – Është mbyllur në barazim 2-2 ndeshja midis Tiranës dhe Kukësit e luajtur të shtunën në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet. Ritmi dhe dëshira për fitore nga ana e të dyja skuadrave është parë gjatë 90 minutave lojë. Por kjo sfidë nuk ka patur fitues, e cila nisi me 60 minuta vonesë për shkak të motit të keq me stuhi dhe reshje të dendura. Kjo ndeshje u transmetua për teleshikuesit drejtpërdrejt nga rrjeti i Radio Televizionit Shqiptar.
Stuhia dhe reshjet e dendura të shiut kanë bërë që ndeshja Tirana-Kukësi të niste me 60 minuta vonesë. Në “Selman Stërmasi”, ndonëse i parashikuar për t’u zhvilluar në orë 17.00, takimi ka filluar në orën 18.00, pasi gjyqari kryesor i takimit, Jemini ka parë gjendjen e fushës ka dhënë miratimin për t’u luajtur. Ndeshja nis me një gol për Kukësin. Pero Pejiç ndërmerr një sulm, i vetëm në zonën e bardhebluve pengohet nga Ilion Lika.
Portieri i bardhebluve ndëshkohet me karton të verdhë dhe Pejiç nga pika e bardhë shënon duke kaluar skuadrën e tij në epërsi. 1-0 për Kukësin. Duhej të vinte minuta e 28-të që Tirana të barazojë. Është Afrim Taku që godet bukur me kokë dhe 1-1. Me këtë rezultat mbyllen 45 minutat e para. Edhe pjesa e dytë ka ritëm dhe futbollistët e dyja skuadrave kërkojnë me ngulm golin. Tirana rrezikon në minutën e 55-të me anë të Edehut, që godet shtyllën pingule pas një krosi të ardhur nga Taku.
I menjëhershëm është reagimi i Kukësit që kalon sërish në epërsi. Emini, i sapofutur në lojë, godet me kokë pas një krosi të ardhur nga Greza dhe mposht portierin Lika. Emini përfiton nga një vendosje e gabuar e mbrojtjes së Tiranës. Rrezikon sërish Tirana me nigerianin Edeh, por topi kalon mbi traversë. Ndërsa kapiteni i Kukësit, Hallaçi, e shpëton portën nga një gol i sigurt në minutën e 63-të. Por barazimi për bardheblutë do të vinte dy minuta më pas.
18-vjeçari kongolez Mervil shënon duke barazuar shifrat e takimit në 2-2. Megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave, ky rezultat nuk ndryshon deri në përfundim të takimit. Në ndeshjet e tjera të javës së tretë të Kategorisë Superiore u arritën këto rezultate: Lufëtari fiton 1-0 me Korabin dhe Skënderbeu 1-0 me Laçin.