AlbanianSport.com 15/10/2018 19:50
ASNN – Tirana e zyrtarizoi sot Ardian Memën në krye të bardhebluve. Pinjolli i familjes së madhe të futbollit Mema nënshkroi kontratën në prani të presidentit të klubit Refik Halili, duke mos i fshehur dot emocionet. Në fakt, vetë Mema tha se e kishte pranuar ftesën me skepticizëm, nisur nga pozitat e skuadrës 24-herë kampione në renditjen e Kategorisë Superiores.
“Tirana është klub i madh dhe unë kam dalë nga ky klub, – ka deklaruar ai. – Kërkesën e prita pak me skepticizëm për shkak se situata që po kalonte nuk ishte fort e këndshme. Të them të drejtën është shumë kalendar i vështirë. Duhet të fus frymën e grupit për t’iu rikthyer rezultateve të mira. Shpresoj që ekipi të jetë në një atmosferë më të mirë se periudha që po kalon”, u shpreh Mema për gazetarët.
Më tek ai komentoi duelin e radhës, atë ndaj Flamurtarit, ku do të përplaset me mikun e tij Ilir Daja, ndihmës i të cilit ishte deri para pak ditësh. Madje Mema tha se kolegu i tij, Ilir Daja, është trajneri më i mirë në Shqipëri, duke hapur në këtë formë një debat jot ë vogël. “Flamurtari është një ekip i mirë, sepse ka trajner Ilir Dajën”, – tha ish-futbollisti që ka punuar me trajnerin kryeqytetas edhe tek Skënderbeu.
“Unë kam punuar gjatë me të, është trajneri më i mirë në Shqipëri, – ka vijuar Mema. – I përgatit mirë ndeshjet. Unë e njoh gjendjen atje, dhe do e përgatis mirë këtë ndeshje. Ne nuk shkojmë të dorëzuar në Vlorë, shkojmë për rezultat pozitiv.” Bardheblutë mbajnë aktualisht vendin e 7-të në renditjen e Kategorisë Superiore, me 8 pikë të grumbulluara në 8 javë garë dhe ndodhen në një zonë të rrezikshme të klasifikimit.
Natyrisht, statura e klubit është e fuqishme, por pikërisht pesha e fanellës sjell edhe presion, të cilin Mema duhet ta përballojë e të kthejë Tiranën në elitë.