AlbanianSport.com 31/10/2021 19:25
ASNN – Krutanët kapërcejnë pësimin e golit dhe marrin një barazim 1-1 me durrsakët. Një nga dy takimet që kanë ulur siparin e javës së 7-të të Kategorisë Superiore ishte ai që u luajt të dielën pasdite mbrëmje në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës midis Teutës dhe Kastriotit. Ndeshja ka qenë përgjithësisht e qetë në pjesën e parë dhe vetëm pas 13 minutash lojë, është Teuta që rrezikon me Gjorgievin, i cili përfiton nga një largim i gabuar i mbrojtjes krutane dhe gjuan në portë, por goditja e tij është qendrore dhe topi përfundon në duart e portierit Sali.
11 minuta më pas, është sërish Gjorgiev që gabon në mënyrë të pabesueshme. Sulmuesi shfaqet i vetëm para Salit dhe gjuan shumë dobët, drejt e në duart e portierit krutan. Kastrioti kundërpërgjigjet vetëm pas një gjysmëore lojë, me një kundërsulm i shpejtë, por Ajazi provon me një goditje nga jashtë zonës, duke mos gjetur kuadratin, ndërsa Rami dëshpërohet sepse ishte i vetëm në krahun e majtë. Minutat e fundit të pjesës së parë do të sjellin një ndërprerje, sepse, pas një goditje dënimi për Kastriotin, ka një rrëzim në zonë të Ajazit.
Krutanët protestojnë, ndërsa gjyqtari komunikon me Sistemin e Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR) për të mësuar nëse ishte kontakt për 11mëtërsh, apo jo. Madje ai ftohet vetë para ekranit ku shqyrton për pamjet dhe në fund sinjalizon pozicion jashtë loje në favor të durrsakëve. Mbyllet kështu me rrjeta të paprekura 45-minutëshi i parë në Shkodër, ndërsa ai i dyti nis më mirë për durrsakët dhe, pasi Plakut i është mohuar një goditje me portën e boshatisur brenda zonës, është Kallaku që vertikalizon bukur për Grudën.
Ky i fundit ruan gjakftohtësinë dhe finalizon po aq bukur, duke e kaluar Teutën në epërsi. Rrjedha e lojës do të ndryshojë një çerekore para fundit të kohës së rregullt, kur lojtari i Kastriotit, Grgiç, dëmtohet pas një përplasje dhe kërkohet ndihma e barelës e më pas ambulancës për ta dërguar në spital, ndërsa ka kokën e fashuar. Në vendin e tij hyn në fushë Mudrazija. Dhe është pikërisht ky i fundit që shndërrohet menjëherë në protagonist, pasi në minutën e 79-të, ai kontrollon bukur një top brenda zone dhe godet, duke e mposhtur portierin e durrsakëve, Qirko.
Goli e barazimi e ka ndërruar kahun e lojës dhe brenda pak minutash, është Kastrioti që rrezikon të shënojë edhe golin e dytë, por, edhe për meritë të portierit Qirko, por edhe për pasaktësi të krutanëve, Teuta në njëfarë mënyre mbijeton. Përtej 8 minutave të kohës së rregullt dhe minutave shtesë, nuk ka më gola dhe mbyllet kështu në barazim 1-1 kjo përballje dhe të dyja skuadrat ndajnë nga një pikë secila.