AlbanianSport.com 23/01/2019 17:55
ASNN – Janë luajtur të mërkurën 6 takimet e tjera të para të turit të 16-shes së Kupës së Shqipërisë dhe Teuta ka hedhur një hap të sigurt përpara drejt vendit në çerekfinale, duke marrë një fitore 3-1 në Lushnjë ndaj skuadrës vendase. Në fakt, fati i kësaj ndeshjeje, pamje të së cilës na përcjell kjo kronikë, është vendosur brenda 36 minutave të para të saj, pasi durrsakët e drejtuar nga trajneri Bledi Shkëmbi e kanë gjetur dy herë rrugën e rrjetës.
Fillimisht ka qenë Kallaku ai që është treguar i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit pas një gjysmë ore loje, duke përshëndetur rrjetën dhe duke e konkretizuar kështu dominimin e skuadrës së tij. 6 minuta më pas, Vila gjen edhe golin e dytë për miqtë, dhe me këtë epërsi dygolëshe do të mbyllen 45 minutat e parë. Në ato të dytat, Teuta gjen edhe golin e 3-të, me autor Prognin, ndërsa goli i Gjylës 4 minuta para fundit do të shërbejë vetëm për statistikë.
Në takimet e tjera të turit të 16-shes, Bylisi u hakmorr ndaj Laçit, duke e mundur 2-0 në shtëpi, me të dy golat e shënuar nga ballshiotët në pjesën e dytë. Ndërkaq, Luftëtari nuk ka gabuar në Rrogozhinë ndaj Egnatias dhe fituar me rezultatin bindës 3-0, duke e bërë ndeshjen e kthimit një formalitet. Takimet e para të dy çifteve të para të turit të 16-shes së Kupës së Shqipërisë janë luajtur të martën dhe në Fushë-Krujë, Partizani ka kapërcyer pësimin e një goli, duke marrë një fitore 4-2 ndaj Kastriotit.
Në takimin tjetër të së martës, edhe Skënderbeu nuk ka gabuar përballë Besëlidhjes vendase, duke marrë një fitore 2-1 në Lezhë.