AlbanianSport.com 12/03/2019 21:05
ASNN – Verilindorët kryesojnë 2-0, por durrsakët reagojnë në 5 minutat e fundit dhe marrin një barazim 2-2. Teuta ka arritur të përmbysë vetëm në fund një deficit prej dy golash në takimin e parë të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, duke arritur sidoqoftë të marrë një barazim 2-2 në fushën e vet përballë Kukësit dhe duke shpresuar për ta korrigjuar veten në ndeshjen e kthimit.
Pjesa e parë e sfidës së luajtur në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit është mbyllur me epërsinë minimale të verilindorëve, të cilët e kanë gjetur golin me anë të Rexhinaldos. Ndërsa 8 minuta pas nisjes së pjesës së dytë, edhe Shkurtaj do ta gjejë rrugën e rrjetës për miqtë, duke krijuar idenë se Kukësi do të largohej nga Durrësi me një fitore të pastër.
Por 5 minutat e fundit të kohës së rregullt kanë parë Teutën të rrezikojë gjith]ka për gjithçka dhe Tomisllav Bushiç, i ndihmuar edhe nga një devijim, do të shkurtojë largësinë e golave për vendasit. Ndërsa në minutën e parafundit, Teuta do të gjejë edhe golin e barazimit. Mbyllet kështu 2-2 në Durrës kjo përballje midis Teutës dhe Kukësit, me verilindorët paksa më të favorizuar për ndeshjen e kthimit.