AlbanianSport.com 10/11/2020 20:15
ASNN – Trajneri Martini dhe kapiteni Arapi, të bindur për potencialin e skuadrës. Teuta ka mundur 1-0 të dielën Tiranën, në takimin e vlefshëm për javën e dytë të Kategorisë Superiore. Dhe, si për trajnerin Edi Martini, ashtu edhe për kapitenin e bregdetarëve, Renato Arapi, ky duhet të jetë viti i Teutës. Të dielën, Teuta e ka mundur minimalisht Tiranën në takimin e javës së dytë të Kategorisë Superiore, por, për trajnerin Edi Martini, përqendrimi duhet të jetë i vazhdueshëm.
“Unë i kam dhënë edhe më parë, që të rëndësishme në ndeshjet e para janë pikët, – ka deklaruar shkodrani i stolit durrsak. – Më vjen keq për ndeshjen me Skënderbeun, por tashmë është një histori e mbyllur. Duke ditur që kishim Tiranën përballë, ishte 2 herë më e rëndësishme, pasi luanim përballë kampionëve. E gjithë skuadra është e kompletuar dhe ka eksperiencën e duhur. Di të vuajë dhe të krijojë rrezik. Edhe pjesa e parë dhe e dyta, kishin nevojë për më mirë.”
“Megjithatë jemi ende larg asaj ku ishim në fundin e sezonit të kaluar, – ka vijuar ai. – Tirana kishte disa raste për shënim, por edhe në përveç golit kishim raste të tjera. Në pjesën e parë ndaj Skënderbeut kishim 4-5 raste, për të shënuar dhe pësuam një gol aksidental. Pas shënimit të golit na u duk sikur e fituam ndeshjen.” Edhe për kapitenin Renato Arapi, të ftuar në Rubrikën Sportive në RTSH, skuadra reagoi mirë pas barazimit me Skënderbeun.
“Natyrisht që ishim të zhgënjyer me barazimin me Skënderbeun, por skuadra reagoi mirë dhe u kthyem tek fitorja ndaj Tiranës, ndonëse duhet theksuar se asaj ia kemi marrë dorën, – ka ironizuar Arapi. – Sidoqoftë, skuadra tregoi karakter dhe cinizëm në lojën e saj dhe rëndësi kanë 3 pikët dhe tani shohim përpara.” Si për trajnerin, ashtu edhe për kapitenin e bregdetarëve, ky duhet të jetë viti i Teutës. “Titulli? Që në ndeshjen e parë e kam thënë që jemi për “kampion””, – ka pohuar Martini.
“Unë në vetvete jam i bindur që kemi një skuadër për “kampion”, – ka vijuar trajneri i Teutës. – Kemi afruar lojtarë me cilësi. Ne jemi të vetëdijshëm se çfarë kërkojmë. Do të jetë një luftë e ashpër për titullin, por ne do jemi aty.” Edhe Arapi u bën jehonë fjalëve të Martinit, teksa thotë se Teuta është një skuadër e ndërtuar për titull. Teuta ndan vendin e dytë dhe të 3-të të renditjes me Kastriotin, pas dy javëve të para të Kategorisë Superiore, me nga 4 pikë secila.