AlbanianSport.com 21/09/2019 18:05
ASNN – Në Kategorinë e Parë, 4 nga 9 ndeshjet e së shtunës u mbyllën 0-0, të dielën, Apolonia-Lushnja, drejtpërdrejt në RTSH Sport. Përtej faktit që tërmetet kanë lëkundur të gjithë Shqipërinë, futbolli ka marshuar përpara, edhe pse lëkundja e parë, dhe ajo më e madhe, ka ndodhur në minutat e para të ndeshjeve, siç ndodhi me takimin e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, midis Kastriotit dhe Besëlidhjes.
Madje loja ka vijuar edhe pas lëkundjes së dytë që erdhi 11 minuta më pas. E duket se tërmeti i ka trembur golat, teksa kjo ndeshje, por edhe dy ndeshjet e tjera të grupit A, apo grupit të Veriut, Dinamo-Shkumbini dhe Erzeni-Tërbuni, por edhe një e grupit B, apo grupit të Jugut, Devolli-Oriku, janë mbyllur me rrjeta të paprekura. Ndërkaq, në kuadër të grupit A, Korabi dhe Egnatia kanë korrur fitore në shtëpin, përkatësisht 3-0 ndaj Veleçikut dhe 1-0 ndaj Burrelit.
Ndërkaq, në takimet e tjera të grupit B, Shënkolli dhe Turbina janë ndarë në barazim 1-1, Besa mundi Elbasanin 2-0, ashtu sikundër Pogradeci mundi Ilirinë e Fushë-Krujës 3-0. Ndërsa takimi i fundit i këtij grupi, derbi myzeqar midis Apolonisë dhe Lushnjës do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, duke nisur nga ora 16:00.