AlbanianSport.com 02.10.2016 21:40
ASNN – Është mbyllur me rrjeta të paprekura derbi i veriut midis Besëlidhjes dhe Tërbunit, i vlefshëm për javën e dytë të grupit A të Kategorisë së Parë. Kjo sfidë u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, që do të transmetojë edhe sfidën e së hënës, midis Tomorit dhe Bylis, që nis në ora 14:00.
Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, ka luajtur të dielën 2 prej ndeshjeve të fundit të javës së tij të dytë. Në kuadër të grupit A, apo grupit të Veriut, është zhvilluar takimi midis Besëlidhjes dhe Tërbunit, që ishte edhe një derbi i veriut.
Kjo ndeshje, që u luajt në Lezhë, duke nisur nga ora 14:00, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Siç dihet transmetuesi publik ka nënshkruar një kontratë me Federatën Shqiptare të Futbollit për të transmetuar rregullisht çdo fundjavë 2-3 ndeshje të Kategorisë së Parë.
Pjesa e parë e kësaj ndeshjeje ka qenë e vakët në lojë dhe në raste dhe është mbyllur me rrjeta të paprekura. Ndërsa në pjesën e dytë, janë lezhjanët që e kërkojnë më tepër fitoren, duke krijuar edhe raste për shënim. Madje Besëlidhja ka pretenduar edhe një 11-metërsh, por gjyqtari kryesor ka vijuar lojën.
Minutat e fundit kanë qenë të ethshme, por Tërbuni ka rezistuar, duke marrë një pikë mjaft të vyer në Lezhë. Ndërkohë, Rjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, do të transmetojë edhe sfidën e së hënës, midis Tomorit dhe Bylis, që luhet në kuadër të grupit B, apo grupit të Jugut, dhe nis në ora 14:00.