AlbanianSport.com 28/12/2018 18:05
ASNN – Duhen më pak se tri javë deri në fillimin e turneut të parë të sezonit të ri të tenisit, “Open Australian”. “Grend Slem”-i i parë i 2019-ës, do të zhvillohet në Melbërn, nga data 14, deri në 27 janar 2019 dhe premton të jetë emocionues. Si zakonisht gjatë viteve dhe siç pasqyrohet në renditje, tre favoritët kryesorë të fitores do të jenë Novak Gjokoviçi, Rafael Nadali dhe Rozher Federeri, përkatësisht, numri 1, 2 dhe 3 në renditjen botërore.
Tenisti serb qëndron më lart se të gjithë, jo vetëm se “Australian Open” është “Grend Slem”-i i preferuar i tij, teksa e ka fituar 6 herë, por se ka treguar se ai është lojtari më i fuqishëm nga këta të tre. Edhe të dhënat tregojnë madhështinë dhe besueshmërinë e tij. Ai është i vetmi numri 1 i këtij dhjetëvjeçari që ka qenë në gjendje të fillojë dhe të përfundojë një sezon si lojtari më i mirë në planet, diçka që ata nuk e kanë arritur as Rafael Nadali, as Rozher Federeri dhe as Endi Mërrej.
Përveç kësaj, i mbiquajturi “Nole” e ka arritur këtë sukses në dy raste, në 2012-ën dhe në 2015-ën, kur e filloi dhe e përfundoi vitin si numri 1 në botë. Nadali nuk arriti ta bëjë këtë në 2011-ën, 2014-ën dhe 2018-ën, Federeri në vitin 2010 dhe Mërrej në vitin 2017. Gjokoviç është i vetmi lojtar që e ka nisur me fitore që në “Australian Open” dhe e ka mbyllur sezonin me fitore duke qenë numri 1.
Në këtë mënyrë ka thyer edhe një lloj “mallkimi” që ka pllakosur pjesën tjetër të lojtarëve të cilët kanë arritur sukses në “Grend Slem”-in e parë dhe më pas kanë pësuar disfatë në këto vite, të tillë si Federeri dhe Vavrinka. Por asgjë nuk është e shkruar në sport apo në botën e tenisit. Megjithatë të dhënat mbështesin suksesin e Gjokoviçit, i cili mbetet pretendenti kryesor në Melbërn. E për momentin ai është numri 1.