AlbanianSport.com 14/06/2020 20:25
ASNN – Trajneri i të kuqve merr frymë pas fitores së thellë, homologu Novi, i zhgënjyer me golat e shumtë të pësuar. Ishte një fitore e thellë ajo me Luftëtarin, që padyshim e ka kënaqur nga trajnerin e Partizanit, Adolfo Sormani, i cili nuk e fshehu lehtësimin që skuadra më në fund e shndërroi në gola epërsinë. “Është një Partizan që ka luajtur mirë dhe në ndeshjet e tjetra”, – ka thënë italiani i stolit të të kuqve.
“Nuk është vetëm kjo sfida kur Partizani ka luajtur bukur dhe ka prodhuar lojë, – ka vijuar Sormani. – Kjo ishte një provë e mirë, ku skuadra diti si të shprehej në fushën e lojës.” Po, a mund të thuhet se të kuqtë kryeqytetas e kanë kaluar momentin e vështirë? “Skuadra stërvitet gjithmonë mirë dhe me intensitet të lartë, – thotë 54-vjeçari. – Ekipi është më i përgatitur për të kaluar sfida jo vetëm të lehta në letër, por edhe të vështira.
“Besoj se i ka të gjitha cilësitë për të shkuar më tej”, – ka shtuar trajneri i Partizanit, Adolfo Sormani. Ndërkohë, trajneri i Luftëtarit, Neritan Novi, ka patur ankesa për gjykimin përtej humbjes. “Partizani nuk ka nevojë për gjyqtarët sepse është ekip i kompletuar, – ka deklaruar ai. – Nuk dua të justifikohem për gjyqtarin, pasi nuk na nxori me të kuq ishim në disavantazh të madh, 0-3.”
“Por, me vendimet e tij, ne na dëmtoi shumë në atë moment”, – shtoi Novi, që sidoqoftë, ishte më tepër i pakënaqur me skuadrën e tij. “Unë kam rezerva për ekipin tim, pasi në dy ndeshjet e fundit kemi pësuar shumë gola, – ka thënë trajneri gjirokastrit. – Nga Luftëtari kanë ikur shumë lojtarë, kemi bërë shumë largime cilësore. Duke parë renditjen dhe mundësitë e pakta që kishim për mbijetesë u përqendruam te çunat e rinj. Në mendojmë për vitin e ardhshëm dhe do respektojmë kampionatin.”